Ka dështuar edhe tentativa e 19’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka vazhduar sërish me përpjekje për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë, teksa kur është hedhur në votim s’kanë marrë pjesë fare në proces.
Në sallë ishin 109 deputetë.
Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën.
“54 deputetë për, një kundër, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca”, tha Dehari.
Përpjekja e radhës do të bëhet të premten, në orën 11:00.
E propozuara e VV’së për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.