Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar edhe sot të sigurojë mbështetje për kandidatët e saj për pozitën e kryeparlamentarit për të zhbllokuar konstituimin.
Pas dështimit me Albulena Haxhiun dhe Hekuran Muratin, ishin Dimal Basha dhe Arberie Nagavci, emrat e rinj sot, të cilët po nuk morën votat e nevojshme në seancën konstituive për kryekuvendar, transmeton klankosova.tv.
Partitë rivale të VV-së, duke i refuzuar këta dy emra, kanë treguar se edhe pas fushatës për “ndryshim”, partia e parë nuk është në gjendje të ofrojë liderë të kualifikuar dhe të përgatitur për pozita të rëndësishme.
Për më tepër, ky dështim ka nxjerrë në pah performancën e dobët akademike të dy emrave të propozuar, duke theksuar një përpjekje të paqartë për të vendosur individë me rezultate të pamjaftueshme për pozita kyçe.
Deputeti Dimal Basha një kritik i ashpër i sektorit të arsimit, ka pasur një histori të dobët të performancës përgatitore. Një dëftesë e shkollës tregon se në vitin e tretë ai ka pasur nota 1 në Biologji, duke e detyruar të riprovonte për të kaluar dhe të tjerat lëndë po shumë larg vlerësimit të lartë.
Ky rezultat jo vetëm që dëshmon mungesën e përgatitjes së Bashës, por është në kontradiktë të plotë me akuzat e tij ndaj mësuesve dhe grevave në sektorin e arsimit. Ndaj dhe propozimi i tij për pozita të larta në Kuvend është një tallje me qytetarët, duke i ofruar atyre një kandidat që vetë nuk ka arritur të kalojë një lëndë të rëndësishme në shkollë.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arberie Nagavci, gjithashtu njihet për një performancë të dobët akademike, pasi ka përfunduar studimet me një mesatare prej vetëm 6.46. Ky rezultat, i konsideruar i ulët për dikë që kërkon të mbajë pozita kyçe politike, ka shkaktuar reagime të shumta në publik, duke nxjerrë në pah një tjetër anë të Lëvizjes Vetëvendosje: zgjedhjen e individëve që nuk plotësojnë kërkesat minimale për të udhëhequr. Pavarësisht se Nagavci ka mbaruar studimet pas një periudhe të gjatë, e cila përfshin një dekadë (2009-2019), mesatarja e saj e ulët lë shumë për të dëshiruar në lidhje me përgatitjen e saj për funksione të larta politike.
Dështimi për të marrë votat në Kuvend është një reflektim i kësaj mungese të kualifikimeve dhe një sinjal për qytetarët e Kosovës që Lëvizja Vetëvendosje nuk po ofron liderët e nevojshëm për të udhëhequr vendin.
Ky proces përzgjedhjeje është një tallje e hapur me qytetarët dhe një goditje për besueshmërinë e kësaj partie, e cila ka premtuar ndryshim, por që në fakt po ofron emra të paaftë për të udhëhequr.
Njëjtë vlerësoi edhe sot kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili shfaqi hapur shqetësimin e tij, se kreu i VV-së, Albin Kurti po luan hapur me fatin e qytetarëve.
”Nuk bëhet kjo punë në mënyrë klandestine. Po nxjerr emra prej xhepi si në lloto”, deklaroi ai me të përfunduar seanca e sotme e cila dështoi me konstituimin për të vazhduar më 26 gusht në ora 11:00.
Kjo siç shtoi ai, anise kishte kërkuar pauzë konsultuese për votim ose jo të emrave, megjithatë ajo ishte refuzuar nga kryesuesi i seancës.