Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur në takim ambasadorin Lamberto Zannier, kryesues i misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet
Biseda u fokusua në procesin zgjedhor të 11 majit, ndërsa u theksua rëndësia e zhvillimit të një procesi të drejtë, të lirë e të ndershëm. Presidenti i Republikës u njoh me gjetjet e deritanishme të OSBE-ODIHR-it, ndërsa përgëzoi këtë mision që ka përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri edhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Gjatë bisedës më Ambasadorin Zannier, Kreu i Shtetit vlerësoi përfshirjen për herë të parë në histori të Diasporës në votime, duke mundësuar shprehjen e vullnetit të lirë nëpërmjet votës.