Live

Ziv: Kosovarët që duan të largohen nga Izraeli mund të kalojnë nga Egjipti e Jordania

20:01 / 17 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, në një bisedë të drejtpërdrejtë nga Izraeli, ka treguar në për situatën që po mbretëron atje.

Ziv tha se situata në Izrael është shumë e tensionuar dhe se ka shumë ankth, por shtoi se mbeten me shpresë se qëllimi për të cilin e kanë nisur operacionin ndaj Iranit do të ketë sukses dhe “do të na ndihmojë të eliminojmë kërcënimin ekzistencial që Irani ka vënë kundër nesh për dhjetëra vite me radhë”.

“Irani ka krijuar kapacitete goxha të fuqishme bërthamore, ka kapacitetin për të ndërtuar rreth 9 armë me potencial bërthamor. Një e treta janë krijuar gjatë këtyre tre muajve. Derisa iranianët kanë qenë në negociata, në fakt kanë negociuar aq sa kanë përshpejtuar prodhimin e armëve bërthamore”, tha Ziv.

Ajo tregoi se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadoren e Kosovës në Izrael dhe se ka komunikuar edhe personalisht me shumë kosovarë që jetojnë atje.

Ziv tha se kosovarët që duan të largohen nga Izraeli në këtë periudhë mund ta bëjnë këtë duke kaluar përmes Egjiptit dhe Jordanisë.

“Kam lidhje shumë të afërt me shefen e misionit të Kosovës në Izrael, por edhe me qytetarë të tjerë kosovarë që banojnë në Izrael. Me disa kam biseduar edhe vetë dhe më duhet të them që ata që kam kontaktuar janë në disponim shumë të mirë. Janë me qëndrim në Izrael dhe si gjithë të tjerët i dëgjojnë udhëzimet e forcave të sigurisë dhe komandës, që na thonë ku të qëndrojmë e ku të shkojmë”.

Ata që dëshirojnë të largohen janë në kontakt me Ambasadën e Kosovës, e cila u ofron të gjitha informatat dhe opsionet. Nëse vendosin të largohen nga Izraeli, mund të kalojnë përmes Egjiptit dhe Jordanisë”, tha ambasadorja izraelite në RTK, transmeton Klankosova.tv.

Ambasadorja shtoi se Izraeli nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveç fillimit të këtij sulmi ndaj Iranit dhe se sipas saj, kapaciteti raketor iranian është 4 mijë kilometra.

“Irani ka një industri të avancuar të raketave, të cilat kanë për qëllim bartjen e eksplozivëve dhe armëve bërthamore deri në territorin e Izraelit. Më duhet të them që kapaciteti raketor iranian nuk është 1,500 kilometra, që është distanca mes Izraelit dhe Iranit. Distanca që këto raketa mund të përshkojnë është 4,000 kilometra, që do të thotë se mund të shtrihen deri në territorin e Evropës. Të gjithë duhet të pyesim: pse regjimi iranian ka krijuar këtë lloj kapaciteti?”, tha ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua