Live

Zjarri në vendin e mbetjeve urbane në Elbasan s’është shuar as pas 72 orësh

18:00 / 03 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë të ditur se për më shume se 72 orë është duke vijuar puna intensive për izolimin e vatrës së zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan.

Në një njoftim të lëshuar për media thuhet se situata mbetet dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore.

“Në terren po operohet me mjete të shtuara dhe më shumë se 100 forca të angazhuara nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë fqinje sikundër dhe nga Forcat e Armatosura.  Ndërhyrja është përqendruar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit me 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara”, shtohet në njoftim.

“Aktualisht mjetet e rënda vetshkarkuese dhe forcat xheniere po punojnë njëkohësisht për mbulimin e vatrës, ndërkohë që pompa thithëse me kapacitet të lartë mundësojnë hedhjen e ujit direkt në vatrën aktive”.

Gjithashtu ministria shtoi se operacioni mbështetet nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore.

Shpërndaje në

U Kopjua