Live

Maliqi: Kurti deshi të paraqitet si sovranist me 6 kushtet, por tregoi se ka gatishmëri për Asociacionin

16:08 / 05 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri Albin Kurti bëri mirë që doli me gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit dhe që u lirua nga retorika bllokuese e procesit të dialogut, duke ngulur këmbë që të mos e krijojë këtë mekanizëm të nënshkruar nga Kosova.

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë për Gazetën Express, thotë se hartimi i këtyre kushteve është një politikë tipike e Albin Kurtit se si negocion me ndërmjetësit e huaj meqë profilin e tij e krijoi me parulla për vetëvendosje e jo dialog.

Sidoqoftë, kushtet e Kurtit janë në përputhje me kërkesat ndërkombëtare – edhe pse për disa pika Maliqi paralajmëron se mund të çojnë në dështim të marrëveshjes Kosovë-Serbi – topi tashmë u dërgua në Beograd.

Për pikën më të nxehtë – atë të themelimit të Asociacionit pas njohjes reciproke – Maliqi thotë se Kurti edhe mund të mashtrojë me të sepse s’parashihet në planin franko-gjerman, por me këtë u “provokua” Vuçiqi.

“Mirë është se Kurti potencon këtë kusht, edhe pse „provokon“ Vuciqin, i cili kushtet e tij i quajti „përralla“, por le të jetë ai që refuzon Asociacionin, që afirmon demokracinë kosovare dhe jo që Kurtit dhe Kosovës t’i mbetet kilja”.

Maliqi sugjeron fuqishëm që Kosova të jetë në linjë me SHBA-në në këto negociata që ndërmjetësit po i trajtojnë me urgjencë, duke marrë shembull edhe marrëveshjet e të kaluarës.

“Në negociatat e Rambujes dhe në Vjenë, delegacionet kosovare janë koordinuar ngushtë me SHBA-të dhe fuqitë europiane, edhe pse ofertat kanë qenë jo të favorshme, por kemi përfituar sepse Serbia i ka refuzuar ato”.

Analisti politik thotë se opinioni kosovar duhet ta shohë më drejt rolin e SHBA-së dhe BE-së në botë dhe të shfrytëzojë momentumin e krijuar me vënien në tavolinë të planit franko-gjerman.

“Çështja është se as SHBA-të e as BE-ja në rrethanat e sotme nuk mund të garantojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, që është parakusht për kërkesën e reciprocitetit dhe njohjes së ndërsjellë. Pasi që Serbia aktualisht është anëtare e OKB, asaj nuk i duhet fare njohja e Kosovës, ky lloj kushtëzimi duket i padrejtë për Kosovën, që nuk është as anëtare e Këshillit të Evropës, as e NATO-s dhe do të mund mos të ketë gjasa për anëtarësim as në OKB, edhe nëse e njeh Serbia, përderisa Rusia dhe Kina mund ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës për interesat e veta dhe jo të Serbisë”.

Prandaj, Maliqi thotë se Kosova duhet të ketë qasje më të mençur me superfuqitë tjera botërore dhe jo të shfaqë arrogancë ndaj tyre.

Intervista e plotë:

Kryeministri Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Si e komentoni këtë lëvizje të Kurtit?

Shkelzen Maliqi: Në stilin e politikëbërjes së Kryeministrit Kurti është që për çdo nismë të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë të paraqitet me kushte dhe ide vetanake „sovraniste“. Pasi që krejt karriera e tij politike prej opozitari ishte ndërtuar mbi parullën „Jo dialog – Vetëvendosje!”, prejse ka ardhur në pushtet dhe ballafaqohej me faktin se, si Kryeministër, detyrë shtëpie parësore dhe të pashmangshme e ka vazhdimin e dialogut me Serbinë, tërë kohën është angazhuar për t’i ikur këtij obligimi. Dialogu për të nuk ishte prioritet, kërkonte ndryshimin e formatit të tij, argumentonte se dialogu ka qenë gabim i pushtetit të vjetër dhe thoshte se „Zajednica serbe“ assesi nuk mund të bëhet. Por, këto kanë qenë manovra për zhagitje e blerje kohe. Për gati dy vite Kurti e bllokoi dialogun, i ndihmuar edhe nga Presidenti i Serbisë Vuçiq, sepse edhe atij nuk i bëhej vonë për dialogun. Vetëm se ai dilte përfitues nga qasja e Kurtit, pasi që deklarativisht paraqitej si politikan konstruktiv, i hapur për dialog dhe marrëveshje. Marrëveshjen e kushtëzonte me kërkesën për krijimin paraprak të Asociacionit, kërkesë kjo që u dukej e arsyeshme edhe BE-së dhe SHBA-së pasi që Asociacioni ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Duke refuzuar kategorikisht asociacion me baza etnike, Kryeministri Kurti ishte bërë bllokues i procesit, për më shumë edhe nxitës i situatave konfliktuoze në Veri të Kosovës kur përpiqej që, pa koordinim me BE-në dhe SHBA-të, ta shtrijë shtetin ligjor edhe në Veri të Kosovës, si puna e targave dhe dokumenteve personale. Nuk iu bind fillimisht SHBA-ve kur kërkuan 10 muaj kohë për arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdoi me masat kryeneçe, shkaktoi daljen e serbëve nga institucionet, rebelimin e tyre, bllokadat e rrugëve dhe një gjendje të krizës së sigurisë që ishte buzë konfliktit të armatosur. Kryeministri Kurti u bind që të tërhiqet në momentin e fundit, por vazhdoi me retorikën – „Zajednica nuk kalon“…

A mendoni se më në fund Kurti iu përgjigj pozitivisht presionit perëndimor apo këto gjashtë kushtet e tij janë pengesë e re për themelimin e Asociacionit dhe arritjen e një marrëveshjeje të bazuar në planin franko-gjerman?

Shkelzen Maliqi: Besoj se në esencë është deklarim pozitiv i gatishmërisë për krijimin e Asociacionit, sepse kushtet kyçe të Kryeministrit janë të integruara në propozimin franko-gjerman dhe në dokumentet paraprake, sikundër që janë edhe pjesë e garancive të BE-së dhe SHBA-ve. Dy emisarët të deleguar të SHBA-ve, Chollet dhe Escobar, kanë publikuar para disa ditësh një artikull autorial me garancinë se Asociacioni duhet të bëhet mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës dhe se nuk mund të jetë instancë me pushtet ekzekutiv, assesi jo një Republikë Srpska e re.

Por, në gjashtëpikëshin e Kurtit janë disa theksime që nëse insistohet në to mund të pamundësojnë realizimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti pajtohet që Asociacioni të krijohet pasi që të realizohen në plotëni marrëveshjet e Brukselit dhe po kështu pasi që të nënshkruhet marrëveshja e madhe mes dy vendeve që përfshin njohjet reciproke. Kjo bien ndesh me kërkesën e Serbisë që Asociacioni duhet të bëhet paraprakisht, para nënshkrimit të marrëveshjes finale…  Mirë është se Kurti potencon këtë kusht, edhe pse „provokon“ Vuciqin, i cili kushtet e tij i quajti „përralla“, por le të jetë ai që refuzon Asociacionin, që afirmon demokracinë kosovare dhe jo që Kurtit dhe Kosovës t’i mbetet kilja. Në negociatat e Rambujes dhe në Vjenë, delegacionet kosovare janë koordinuar ngushtë me SHBA-të dhe fuqitë europiane, edhe pse ofertat kanë qenë jo të favorshme, por kemi përfituar sepse Serbia i ka refuzuar ato.

Një nga kushtet e vendosura nga kryeministri Kurti është që Asociacioni të hyjë në fuqi pas njohjes reciproke. Partitë opozitare sugjerojnë se ai po mashtron opinionin dhe se me këtë i referohet planit franko-gjerman që nuk përmban njohje reciproke. Si e shihni këtë?

Shkelzen Maliqi: Sigurisht se ka elemente të taktizimeve me kërkesat, që disa prej tyre mund të konsiderohen mashtruese. Sepse, nëse Kurti e pranon planin franko-gjerman, ajo vërtet nuk parasheh njohjen eksplicite të ndërsjellë mes dy vendeve, por mesa dimë, e ka një formulim mbi mospengimin e anëtarësimit e ndërsjellë në organizatat ndërkombëtare mbi parimet e OKB-së, mbi raportet mes shteteve sovrane (që implicite atë e bën marrëveshje ndërshtetërore), kështu diçka thuhet në paragrafin kyç që në Serbi opozita e Vuçiqit e kundërshton ashpër, kurse opozita e jonë, por edhe vetë Kurti dhe militantët e VV-së e konsiderojnë „favorizim të Serbisë“ nga ndërmjetësuesit. Në opinionin tonë nuk kuptohet mirë esenca e propozimit franko-gjerman, që tani po thuhet se është dokument i BE-së, pra i përkrahur edhe nga 5 vendet e BE-së mosnjohëse të Kosovës. Çështja është se as SHBA-të e as BE-ja në rrethanat e sotme nuk mund të garantojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, që është parakusht për kërkesën e reciprocitetit dhe njohjes së ndërsjellë. Pasi që Serbia aktualisht është anëtare e OKB, asaj nuk i duhet fare njohja e Kosovës, ky lloj kushtëzimi duket i padrejtë për Kosovën, që nuk është as anëtare e Këshillit të Evropës, as e NATO-s dhe do të mund mos të ketë gjasa për anëtarësim as në OKB, edhe nëse e njeh Serbia, përderisa Rusia dhe Kina mund ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës për interesat e veta dhe jo të Serbisë. Esenca e propozimit franko-gjerman është ringjallja e një modeli të viteve 70-ta të shek. XX, kur kanë qenë dy shtete gjermane dhe ato edhe pa njohje të ndërsjellë, janë pajtuar që të dy shtetet të anëtarësohen në OKB. Nëse Serbia e pranon këtë model, Kosovës të paktën i hapet rruga për anëtarësime që avancojnë pozitën e saj ndërkombëtare, të hyjë në OKB, në Këshilli të Europës, madje edhe në NATO, të nisë proceset integruese me BE…

Te ne mbizotëron iluzioni se SHBA-të janë shtet i gjithëfuqishëm në imponimin e politikave të saja gjithë shteteve, por kjo nuk është e vërtetë. Më shumë se gjysma e botës, ato shtete që nuk e njohin Kosovën, kanë qëndrime të shkallëve të ndryshme antiamerikane dhe antiperëndimore. Mirë është që kemi aleatët si SHBA, pastaj Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, por në raport me këto superfuqi duhet të tregojmë mençuri dhe mirësjellje e jo arrogancë

A mendoni se Serbia do të pranojë një Asociacion që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka pushtet ekzekutiv dhe legjislativ?

Shkelzen Maliqi: Serbia tashmë e ka pranuar Asociacionin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës sepse në vetë Marrëveshjen për Asociacionin thuhet se Gjykata Kushtetuese e jonë duhet ta vlerësojë statutin e Asociacionit, gjë që edhe e ka bërë më herët duke i gjetur 22 e ca formulime që janë dubioize dhe mund ta çojnë atë jashtë kornizave të kushtetutshmërisë. Ato dubiozat në Serbi kanë ushqyer ambicien për krijimin, sidomos në Veri të Kosovës, të një autonomie me ingerenca gati shtetërore, të ngjashme me Republika Srpska në Unionin e Bosnjës. Kjo nuk do të duhej të ndodhte assesi në Kosovë.

Dhe pyetja e fundit, a mendoni se Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj për të akomoduar Asociacionin dhe planin franko-gjerman nëse palët arrijnë një marrëveshje?

Shkelzen Maliqi: Njëra nga përparësitë e planit franko-gjerman është se nuk kërkon ndryshimin e kushtetutave, bile as atë të Serbisë, ku Kosova figuron si pjesë e saj. Marrëveshja që po përgatitet nuk do të jetë marrëveshja finale, por një marrëveshje kornizë që mundëson tejkalimin e ngërçit aktual që bllokon jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por edhe krejt rajonin.

Pse po propozohet tani me nguti arritja e marrëveshjes kornizë dhe jo marrëveshja finale është sepse jemi në një krizë të madhe gjeostrategjike shkaktuar pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës që imponon stabilizimin sa më urgjent të rajonit tonë për të përballuar kërcënimet nga ridepërtimi i ndikimeve destruktive të Rusisë. Jemi në një moment të kohezionit të vendeve të NATO-s, që edhe Ballkanin në tërësi e shohin si pjesë të mburojës së përbashkët. Ajo që neve na duket e padrejtë kur NATO llogarit edhe me Serbinë si vend potencial aleat, madje edhe si anëtare e NATO-s, është qëndrim strategjik afatgjatë, sepse Serbia është si një ishull gjeostrategjik i rrethuar nga të gjitha anët me vende anëtare të NATO-s dhe assesi nuk mund të lihet jashtë NATO-s, si bazë për penetrimet e Rusisë imperialiste. Një histori e gjatë e ngjashme ka ndodhur edhe me shtetin e Greqisë, ku një pjesë bukur e madhe e popullsisë me dekada ka ushqyer sentimente pro-ruse, por me kohë ato janë pashitur dhe futur nën kontroll. Ne kemi fat që jemi në orbitën e NATO-s si gardiane e demokracisë dhe civilizimit perëndimor.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...