Live

Çfarë ndodhi me “Ibrahim Rugovën” në Tiranë?

18:15 / 06 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Rruga “Ibrahim Rugova” në Tiranë u raportua se u shkurtua duke ia vënë një emër tjetër një pjese të saj. Por kryebashkiaku Erion Veliaj e mohoi këtë duke thënë se ajo madje “është zgjatur” dhe se po planifikohet vendosja e një shtatoreje të presidentit të parë të Kosovës në kryeqytetin shqiptar. Veliajt do t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” këtë 17 shkurt në Prizren, por anëtarët e Kuvendit Komunal të LDK-së atje sot dolën kundër këtij propozimi dhe i tërhoqën votat e tyre. Në Kosovë pati disa reagime, përfshirë deputetin e Besian Mustafa, por LDK-ja zyrtarisht nuk reagoi dhe nuk iu përgjigj pyetjeve rreth kësaj çështjeje.

Një valë reagimesh nxitën raportimet se autoritetet lokale të Tiranës kishin vendosur që ta shkurtonin rrugën që mban emrin e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Një pjesë e kësaj rruge u raportua se do të ndryshojë emër. Bëhet fjalë për rrugën që dikur e mbante emrin “4 shkurti” e tash “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Me këtë emër kujtohet një masakër e kryer në Tiranë nga nazistët e Xhafer Devës.

Lajmi se Bashkia e Tiranës ka vendosur që rruga “Ibrahim Rugova” të shkurtohet duke propozuar që një pjesë e saj të emërtohet “Dëshmorët e 4 shkurtit” u hodh poshtë sot nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Por, Veliaj tha se nuk bëhet fjalë për shkurtimin e asaj rruge. Ai tha se kjo rrugë që mban emrin e Rugovës “është zgjatur edhe me 300 metra të tjera”

Ai tha se të dielën ka pasur “një bisedë të gjatë dhe jashtëzakonisht miqësore me Ukë Rugovën”, djalin e Ibrahim Rugovës. Ai tha se me familjen Rugova janë duke e planifikuar vendosjen e një shtatoreje në Tiranë.

“I kam shpjeguar situaten dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur. Pra, kalon edhe ish-Gardën e Republikës dhe del te Diga e Liqenit Artificial sepse është vazhdim i asaj rruge, mes për mes ish-Gardës. Do të jetë një pedonale shumë e bukur dhe ndoshta aty është edhe vendi ideal për një shtatore të Ibrahim Rugovës”, tha Veliaj.

Por, çfarë ka ndodhur sipas Gazetarit Mero Baze që këtë çështje e ka trajtuar në një shkrim autorial të titulluar “Keqpërdoruesit e Ibrahim Rugovës në Tiranë”.

“Erion Veliaj ka gjetur një zgjidhje “pragmatiste” siç e ka zakon, me shpresë se do ti kënaq të dy palët. Një të katërtën e kësaj rruge, atë nga Banka e Shqipërisë deri tek Shallvaret, rreth 100 metra , aty ku ka zanafillën masakra e 4 Shkurtit, e ka rikthyer në ”identitet”, duke e ndarë Ibrahim Rugovën nga kujtimi i Xhafer Devës me lumin e Lanës në mes. Kështu mendon se është në rregull me të dy palët, por në fakt këtu nuk ka dy palë” ka shkruar ai.

Një pjesë e LDK-së u indinjua, Qendra nuk foli

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ishte ndër të parët që reagoi për këtë lajm.

Ai e futi Veliajn në një “grup” që tha se “kundërshton dhe lufton vlerat themeltare burimore shqiptare..

“Këtë, ky grup, e bënë duke u thirrur në ideale multi-kulti komuniste të socialistes ndërkombëtare “proletariati përmbi kombin” veçse tash fjalën “proletariati”, me një përdredhje TikTok-u, e kanë zëvendësuar me “populli”. Më interesantja, po këta kaviar komunistë, socialistë sallonesh, janë të lidhur ngushtë me biznesin dhe krihen si metropolitan modern të salloneve evropiane që qëndrojnë përmbi “prapambeturinë e vlerave kombëtare””, shkroi Mustafa në Facebook, duke e quajtur “marrëzi” atë që tha se e kishte bërë Veliaj.

Sipas tij, ky ishte një tentim “për ta tkurrur emrin e Ibrahim Rugovës”.

Haziz Hodaj, anëtar i kryesisë së degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren dhe shef i grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal tha se i kanë tërhequr votat për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Erion Veliajn.

Plani i organeve komunale të Prizrenit ishte që titulli “Qytetar Nderi i Prizrenit” t’i jepet kryebashkiakut të Tiranës më 17 shkurt, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Hodaj i tha Gazetës Express se në emër të grupit i ka tërhequr votat e 7 asamblistëve të LDK-së. Ai tha se nuk do të marrin pjesë as në ceremoninë që do të mbahet.

Ai tha se s’ka kontaktuar me Qendrën, por miratimin për këtë tha se e ka marrë nga kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj.

“Nuk kemi pasë kontakt me Qendrën. Natyrisht, kam kontaktuar me kryetarin e Degës, z. Driton Selmanaj. Me të jemi konsultuar dhe kemi marrë një vendim. Ai a ka kontaktuar me qendrën unë nuk jam në dijeni, sinqerisht, sepse ai është në Amerikë aktualisht dhe nuk e di a i ka konsultuar, por unë jam konsultuar me kryetarin e Degës”, tha Hodaj.

Ai tha se nuk ishin “shumë entuziastë” as kur u bë propozimi që Veliaj t’i jepej titulli “Qytetar Nderi”.

“Por meqë u bë prej kryetarit, këto akte ceremoniale nuk i kemi refuzuar asnjëherë. Mirëpo me aktin e fundit, me sakatimin e kësaj rruge dhe disa vërejtje tjera për përkatësinë e tij, edhe për qëndrimin e tij për një shtatore që është ende në depot e magazinave në Shqipëri dhe ende nuk ka marrë vendim ta vendos diku në Tiranë, sigurisht i kemi pasur vërejtjet tona edhe më parë, mirëpo tash i ka ardhë fundi kësaj hipokrizie dhe ne nuk pamë rrugë tjetër përveç tërheqjes”, tha ai.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi nuk iu përgjigj interesimit të Gazetës Express për t’iu përgjigjur disa pyetjeve rreth këtyre raportimeve.

Hodaj s’bindet nga reagimi i Veliajt

Anëtari i kryesisë së degës së LDK-së në Prizren, Hazir Hodaj tha se nuk ishte në dijeni për reagimin e Veliajt, por shtoi se ai do të duhej të konsultohej “edhe në relacione tjera” dhe jo vetëm me Ukë Rugovën për këto çështje.

“Tanimë nuk ka asnjë vlerë. Ato vota tani nuk janë të rëndësishme. Ne vetëm kemi shprehur qëndrimin dhe pakënaqësinë me hapin që ai e ka bërë. Nuk mundemi në çdo seancë të merremi me Erion Veliajn”, tha Hodaj.

Ndër ata që reaguan në Kosovë pas këtyre lajmeve, ishte edhe ish-ambasadori, drejtori i KIPRED, Lulzim Peci.

“Gjymtimi i rruges “Ibrahim Rugova” ne Tirane, eshte akt i turpshem ndaj Presidentit Historik qe simbolizon pavaresine e Kosoves, e me kete Bashkia e ketij qyteti i ofendoi rende qytetaret dhe vendin tone! Dicka eshte e kalbur rende ne Tirane!”, shkroi Peci në një postim në Facebook.

Shpërndaje në

U Kopjua