Live

Shefqet Krasniqi më lehtë e pranoi serbin Radovan si musliman se Nënë Terezën si katolike

17:42 / 17 Gusht 2023

Nga Kosova Live

Të mërkurën, një raportim i Paparaci.com lidhur me konvertimin e një serbi nga besimi ortodoks në besimin islam në praninë e hoxhës Shefqet Krasniqi ku ky i fundit e quan “vëlla” e “më të mirë se ne”, serbin e sapo konvertuar në islam bëri bujë të madhe në mediat sociale. 

Shumë njerëz e panë të pakuptimtë, të gabuar e të keqe qasjen e Krasniqit ndaj Radovanit që u bë Ridvan atë ditë. Por, hiç më larg se para disa vitesh, hoxha Krasniqi ishte pyetur rreth Nënës Terezë, humanistes së madhe shqiptare e cila nderohet në secilin vend të botës.

Për të, Krasniqi nuk e kishte konsideratën e njëjtë sikur për një të panjohur serb që u bë musliman. Kur ishte pyetur se çfarë mendimi kishte për Nënë Terezën që ishte humaniste por nuk ishte muslimane dhe se “ku e ka vendin” ajo në botën tjetër, Krasniqi përgjigjën e kishte në “majë të gjuhës”.

“Midis xhehnemit, fell, midis xhehnemit e ka vendin, sepse ajo nuk ka besuar Allahun, nuk e ka besuar pejgamberin, nuk e ka besuar Kuranin. Edhe nëse e ka besu Allahun, e ka besuar Allahun me të meta”, ishin fjalët e Krasniqit.

Radovani, një qytetar serb në prani të hoxhës Shefqet Krasniqi u konvertua nga besimi ortodoks në besimin islam, por edhe emrin nga Radovani e ktheu në Ridvan. Kjo i mjaftoi hoxhës Shefqet Krasniqi që tashmë Ridvanin ta cilësonte si më të mirë “se të gjithë ne”, ndonëse “ne” është e paqartë se kujt i referohet.

Hoxha Krasniqi i dha informacione bazike për islamin Radovanit, derisa bënte gati ceremoninë formale të konvertimit nga feja ortodokse në fenë islame, e që do të mjaftonte që hoxha Krasniqi ta quante edhe “vëlla” Radovanin e bërë Ridvan. Duket se hoxhës Krasniqi nuk i pengonte ta quante “vëlla” një serb, vetëm se u konvertua në musliman, pavarësisht të kaluarës së populli shqiptar me serbët.

“Nga ky çast, ti je musliman, dhe je jo vetëm si na, por më i mirë se na. E para se me të kallxu çka domethanë kjo më mirë se na e me ta bë përhajr, kisha pasë qef me të pyet për emër. Emrin më the në fillim që e ke Radovan, a po ke qef me e ndërru?”, i tha Krasniqi – Radovanit.

“Po”, iu përgjigj ky i fundit.

“Çfarë emri po e zgjedh?”, i tha Krasniqi.

“Ridvan”, u përgjigj Radovani.

E pas përqafimeve të ngrohta të Ridvanit me hoxhën Shefqet Krasniqi ky i fundit i pati edhe disa fjalë për të, duke ia ndihmuar gjuhës shqipe edhe me pak serbisht.

“Edhe dy fjalë, kur thash vëlla Ridvan se ti je sikurse na, por edhe më i mirë sesa ne, pata për qëllim, kur një njeri jo-musliman, e thotë shehadetin e bëhet musliman, krejt gjynahet të cilat i ka bërë, krejt ama krejt, i fshihen i falen. Kështu që nga ky moment, ty fillojnë veprat tua si një letër e bardhë ku nuk ka në të kurrgjë, prej tashit ia nis të shënohen veprat, a ne i kemi plot me gjynahe, ti i ke të pastërta, kështu që ti je më i mirë se na, e ne ta kemi lakmi ty.”, i tha Krasniqi duke e përcjellë këtë fjalim me lutje për mirëqenien e Ridvanit.

Shpërndaje në

U Kopjua