Live

Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, e dëmtuara rrëfen për vrasjen e familjarëve të saj në Ozdrim të Pejës

23:04 / 20 Janar 2025

Nga Kosova Live

E dëmtuara, Albina Krasniqi, në seancën e së hënës, në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Millorad Gjokoviq, ka rrëfyer para trupit gjykues ngjarjen e vrasjes së familjes së saj në Ozdrim të Pejës.

Ajo tha se në maj të vitit 1999, i ishin vrarë familjarët e saj, duke shtuar se ngjarjen e kishte kuptuar nga djali i axhës së saj pas kthimit tek familja në qershor të 99-ës kur kishin hyrë forcat e NATO-s, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“…me tha ata janë të vrarë dhe as kufomat e tyre nuk janë. Djalin e axhës së babit dhe shoqen e tij i kemi gjet në shpi, shoqja e tij ka qene e djegne”, tha ajo.

Dëshmitarja Krasniqi theksoi se shtëpia ishte e djegur, ndërsa kufomat e familjes së saj deri me sot nuk janë gjetur.

E pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Gjokoviq, avokati Dejan Vasiq, se përse në deklaratën e saj të dhënë në 2022-ën nuk e kishte përmendur asnjëherë të akuzuarin Gjokoviq, ajo u përgjigj se të njëjtin e kishte njohur vetëm me nofkën “Mici”.

Në fund, dëshmitarja Krasniqi tha se çështja me më rëndësi për të është gjetja e kufomave të familjarëve të saj.

Tutje, në cilësinë e dëshmitares u dëgjua edhe Elmira Nurkoviq, e cila e ka përshkruar ngjarjen e 7 majit të 99-ës, në fshatin Ozdrim.

E pyetur se çfarë kishte parë pas krimit në shtëpitë e familjes Krasniqi, dëshmitarja tha se pas disa ditësh, në shtëpinë e Z.K, kishte parë një furgon dhe disa punëtor me uniforma të ngjashëm me punëtorë të pastrimit të ambientit.

“…nga shtëpia e Z. kanë nxjerr diçka me thasë dhe i kanë vendosur në kombi”, tha ajo.

E pyetur nga prokurorja e rastit, Ajshe Ferati se këta thasë që i kishte parë a ishin të mëdhenj apo të vegjel, dëshmitarja deklaroi se ishin thasë të mëdhenj.

“Kanë qene thasë të mëdhenj dhe kur i kanë gjujt në kombi mu ka dok se ka kcy edhe kombi prej peshës”, tha dëshmitarja Nurkoviq.

Ndërsa, e pyetur se a e kishte parë ndonjëherë të akuzuarin Gjokoviqin, ajo tha se vetëm kishte dëgjuar për të dhe se e kanë quajtur “Mici”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...