Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Policia së fundmi ka intervenuar në një familje në Podujevë, pasi një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Viktima ka raportuar se i biri i bën presion dhe i kërkon para në vazhdimësi, duke i shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Përballë kësaj situate, ai vendosi ta denoncojë rastin në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.