Live

PDK-ja “ia merr” një deputet LDK-së, Nisma siguron tri ulëse në Kuvend

08:12 / 21 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Rezultatet preliminare të KQZ-së të votave të verifikuara të subjekteve në mbi 92 vendvotime, e kanë rritur Partinë Demokratike për një deputet dhe për kaq e kanë zvogëluar LDK-në. E nga numërimi i votave të kandidatëve për deputetë që u publikuan nga KQZ-ja, Nisma Socialdemokrate ka siguruar tri ulëse në parlament

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga verifikimi i votave të subjekteve politike, e kanë ndryshuar ndarjen e ulëseve mes tyre në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje është rritur në 40.97 për qind, PDK-ja në 22.47 për qind, LDK-ja ka rënë në 17.14 për qind dhe AAK-ja ka rënë në 7.44 për qind.

Me këtë rezultat të verifikimit të votave në mbi 92 për qind të vendvotimeve, del se LVV-ja do të vazhdojë të ketë 47 deputetë, PDK-ja do të rritet për një deputet më shumë, duke i bërë 26, LDK-ja do të bjerë për një deputet, e për pasojë do t’i ketë 19, ndërkaq AAK-ja do të vazhdojë t’i ketë 8 deputetë.

Sipas KQZ-së, në Lëvizjen Vetëvendosje 10 deputetët e parë me më së shumti vota janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Mimoza Kusari e Arben Vitia.

Jashtë ka mbetur ministrja Rozeta Hajdari, derisa të gjithë ministrat e kandiduar i kanë siguruar mandatet.

Sipas këtyre rezultateve, në Kuvend nuk do të jenë 20 deputetë të kësaj partie nga legjislatura e kaluar.

Ndërkaq, nga 12 zëvendësministrat që LVV-ja i kandidoi, vetëm dy nga ta arritën të marrin vota të mjaftueshme, Liza Gashi e cila renditet e 27-ta dhe Agon Dobruna i  47-ti.

Vetëvendosje ka 20 gra deputete me meritë, e të cilat nuk kanë shfrytëzuar kuotën gjinore për të hyrë në Kuvend.

Partia Demokratike në 10-shen e saj më të votuar ka Bedri Hamzën, Memli Krasniqin, Uran Ismailin, Vlora Çitakun, Sala Jasharin, Enver Hoxhajn, Përparim Grudën, Jakup Nurën, Ganimete Musliun e Rrahman Ramën.
Nga kuota gjinore rrezikojnë mandatin Arben Mustafa e Petrit Hajdari për t’u zëvendësuar nga Eliza Hoxha e Kosovare Murseli.

Kësisoj nga 8 mandatet që me ligj u takojnë grave në PDK, dy janë të siguruara me kuotë.
Janë 6 deputetë të legjislaturës së kaluar që PDK-së do t’i mbesin jashtë Kuvendit: Xhavit Haliti, Ardian Kastrati, Florete Zejnullahu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha e Isak Shabani.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza është personi më i votuar në raport me partinë se secili kandidat tjetër për kryeministër. Ka marrë 88 për qind të votave të PDK-së. 
Në Lidhjen Demokratike, 10 deputetët më të votuar janë: Lumir Abdixhiku, Doarsa Xhelili-Kica, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku, Armend Zemaj e Imri Ahmeti.

Rezultatet preliminare të KQZ-së tregojnë se me kuotë në listën e deputetëve të LDK-së duhet të futen edhe dy gra, Serbeze Muçaj e Arjeta Abazi, që do t’ua rrezikojnë mandatet Krenar Xhaferit e Paris Gurit.

Deputetët e legjislaturës që shkoi, Drita Millaku, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku e Vlora Dumoshi nuk kanë fituar vota për t’u futur sërish në Kuvend.

Nga lista e AAK-së dhe Nismës, 5 deputetë do t’i ketë AAK-ja: Ramush Haradinajn, Daut Haradinajn, Time Kadrijajn, Bekë Berishën e Lahi Brahimajn, e tre deputetë Nisma: Fatmir Limajn, Arbreshë Krasniqin e Xhevahire Izmakun.

Nga kandidatët e Listës Serbe, më së shumti vota ka marrë Branislav Nikolliq nga Shtërpca, gjithsej 12.331 vota. Nikolliq është vëllai i Bratisllav Nikolliqit, ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës.

Pas tij renditet Sërgjan Popoviq nga Graçanica me 11.329 vota të fituara, si dhe Lilana Stefanoviq nga Mitrovica e Veriut me 11.231 vota. Lilana Stefanoviq, përndryshe, është ish-kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, e cila ka dhënë dorëheqje, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022.

Bartësi i Listës Serbe, Zllatan Ellek, sipas rezultateve aktuale, është në vendin e shtatë për nga numri i votave të fituara – 9.354. Para tij, në vendin e katërt është Sllavko Simiq me 10.752 vota, në vendin e pestë Verica Çeraniq me 10.412 vota, ndërsa në vendin e gjashtë Igor Simiq me 10.391 vota të fituara.

Në vendin e tetë është Milana Nikolliq me 8.163 vota, në të nëntin Stefan Kovaçeviq me 7.635 vota, dhe në të dhjetin, Novak Zhiviq me 6.612 vota.

Prej kandidatëve për kryeministra, Albin Kurti është personi më i votuar me mbi 266 mijë vota. Pas tij Bedri Hamza me mbi 153 mijë, Lumir Abdixhiku me 112 mijë dhe Ramush Haradinaj me mbi 38 mijë.

Ndërsa Glauk Konjufca është deputeti i dytë më i votuar me 204 mijë vota.

Shpërndaje në

U Kopjua