Live

Flet nëna e katër vëllezërve të plagosur në Klinë, thotë se gjithçka nisi për një lopë

14:05 / 24 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Një incident ka ndodhur mbrëmë në fshatin Jashanicë të Klinës.

Të lënduarit janë N.B, E.B, S.B dhe E.B, dy prej të cilëve kishin ardhur nga Italia vetëm tri ditë më parë.

E shqetësuar dhe e tronditur, për ngjarjen ka folur nëna e tyre, Hasibe B, e cila shprehet se gjithçka mund të kishte përfunduar tragjikisht.

Sipas saj, konflikti mes familjes së saj dhe familjes H. kishte nisur para shtatë vjetësh, kur një nga djemtë e saj aksidentalisht kishte goditur një lopë që i përkiste familjes së përmendur.

“Para 7 vjetëve e kemi pasur atë problem me lopën. Djali im, pa dashje, në rrugë i ka dalë para kerrit dhe e ka goditur. Pasi ndodhi kjo, ata deshën të ma vrisnin djalin. U pajtuam dhe mendoja se gjithçka ishte mbyllur, por sot kam mundur të kisha 4 viktima në shtëpi. Lopën ua kemi dhënë, e kanë ngrënë. Unë i kam rritur me mundime dhe varfëri, por ata mund të m’i linin 6 jetimë. Familja e tyre ka pasur gjithmonë probleme”, ka deklaruar ajo për Indeksonline.

Prokuroria Themelore e Pejës tha për Gazetën Online Reporteri.net se katër vëllezërit po trajtohen në Spitalin e Pejës.

Ndërsa dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje dhe se është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Dy persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit dhe njëkohësisht ndaj tyre do të dorëzohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Ndërkaq i kemi katër viktima të cilët janë duke marrë tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës. Gjithashtu janë siguruar prova të cilat do të shërbejnë për procedurë penale dhe Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmerren veprime tjera hetimore”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

Shpërndaje në

U Kopjua