Live

“Po lëri këto broçkulla”, “Nuk është e vërtetë”: Mohimi deri në absolut i Kurtit për prishje të marrëdhënieve me ShBA-në

17:23 / 24 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Po çfarë më të këqija bre…po lëri këto broçkulla…

Tash e dy vjet mohimin e çon deri në absolutizëm – dhe kategorikisht – për atë se Kosova ka rrëshqitur larg orbitës së kahershme të aleancës më jetike të vendit; qoftë në rrafshin e sigurisë së brendshme dhe të integritetit të vet territorial, qoftë në rrafshin ndërkombëtar për subjektivitetin e shtetit.

Fjala është për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Albin Kurti, kryetari i Qeverisë së Kosovës, vazhdon të flasë si prej një membrane të ndonjë realiteti tjetër se tash – “sikur kurrë më parë” – Kosova ka “partneritet” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në paraqitjen më të fundit televizive në “Top Channel”, një ditë para zgjedhjeve – Kurti mohoi deri edhe qenësisht të ketë ndofarë rënie marrëdhëniesh në rend të parë.

Broçkulla”, i quajti çfarëdo deklarimi të tillë.

Shembull mohimi kategorik nga Kurti i asaj që e deklarojnë thuajse në baza mujore – prej ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Departamentit të Shtetit, e deri së fundi edhe Emisari Special i ShBA-së, Richard Grenell.

Kurti në Top Chanell:

KurtiPo çfarë më të këqija bre? Po ky është vëzhgim sipërfaqësor…

DumaKy nuk është vëzhgim. Se të del Grenell të thotë ‘mashtron Albin Kurti sepe nuk ka pasur moment më të keq të marrëdhënieve’.

Kurti: E kush do të jetë nikoqir “Defender 2025”?

Duma: Pra ke arritur të bësh diçka që s’e bën dot askush. Marrëdhënie të këqija politike, por të mira ekonomike?

KurtiPo s’janë marrëdhënie të këqija, janë partneritet – por, përpara kanë qenë ose armiqësi ose servilitetit – ne kemi normalitet.

Duma: Qysh partneritet, kur nuk ftohesh në Uashington? … Sot nuk ke komunikim, as nga pikëpamja qeveritare as protokollare.

Kurti: Nuk është e vërtetë, lej këto broçkulla opozitare, ata shkojnë në Amerikë për me luftu me qeverinë Kurti.

Çështja është se kurrë nuk kemi pasur marrëdhënie më të mira partneriteti dhe aleanca me perëndimit se sa sot – por, janë të “partneritetit” e për këtë duhet të mësohen njerëzit”.

Komunikata e djeshme e ambasadës amerikane

  • “Pasoja të dëmshme në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA”.

Është trashur edhe më tej regjistri i dënimeve deklarative të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës – tashmë më e fundit si rrjedhojë e mbylljes së disa zyreve të mirëqenies sociale në veri të Kosovës, që administroheshin nga Serbia.

Për zyrat në fjalë, autoritetet vendore thanë se ua vynë dryrin për shkak të veprimtarive të paligjshme si “lidhur me procesin zgjedhor”; përkatësisht, “shkeljen e vullnetit të votuesve”.

Sipas një njoftimi policor, zyrtarë të institucioneve paralele dhe ilegale dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët (të komunitetit serb) dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

Sikur me mbylljen e institucioneve tjera paralale serbe – Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën qortues e dënues ndaj autoriteteve vendore, duke i shpallur ato me “pasoja të dëmshme” si në rrugën evropiane të vendit, si në “marrëdhëniet tona bilaterale”, raporton Nacionale.

“Ambasada e SHBA është e shqetësuar nga mbylljet e papritura dhe të pakoordinuara të zyrave të mirëqenies së Serbisë në Kosovë. Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht në mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet në postim.

Marrëdhëniet Kosovë – ShBA kanë parë rënie të ndjeshme – anipse kategorikisht qeveria kosovare e mohon që kjo të jetë e vërtetë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se “kemi miq pafund në ShBA” ndonëse dyerte Shtëpisë së Bardhë nuk janë hapur asnjëherë për qeverinë aktuale dhe se asnjë takim i nivelit të qartë bilateral nuk ka ndodhur.

Më i fundit që i ka dhënë jehonë se ku qëndrojnë marrëdhëniet Kosovë – ShBA ishte, Emisari i Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell.

Fjalët e këtij të fundit i ka shpërndarë edhe vetë i biri i Trump, Donald Trump Jr.

Grenell e jep se marrëdhëniet Kosovë – ShBA janë në krizë si asnjëherë më parë në 35 vite marrëdhëniesh Prishtinë – Uashgington, përkatësisht prej kur Kosova është bërë çështje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, Se Albin Kurti “nuk është partner i besueshëm”, se “krejt bashkësia ndërkombëtare është kundër tij”, se deklarimi i tij gjatë një tubimi zgjedhor në Ferizaj “është absolutisht i rremë” nga i cili “mos u mashtroni” – të gjitha këto që i tha Richard Grenell, Donika Gërvalla i quajti “të pavërteta” në një intervistë në TëVë1.

“Ne në të dyja kampet në ShBA kemi miq pafund, kemi njerëz të cilët realitetin e Kosovës e marrin shumë seriozisht”, ka thënë ajo.

Retrospektivë…

Në mars të vitit të kaluar ishin artikuluar publikisht se ku qëndronin marrëdhëniet Kosovë-ShBA: kur ish-emisari amerikan për rajon, Gabriel Escobar, pa gjuhë të rafinuar diplomatike pati ngrerë vëmendjen se pse kjo qeveri s’pritet në Uashington.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”.

“Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, pati thënë ai në Radion Evropa e Lirë.

Shefi i këtij të fundit, Jim O’Brien, në një shpërthim të paprecedentë ndaj Kurtit, pati premtuar “reciprokim mospartneriteti” po qe se qeveria kosvoare do të vazhdonte “të mos na trajtojë si partnerë”.

Tashmë në skenë është rikthyer edhe Richard Grenell: një dikush me marrëdhënie thellësisht të lënduara me Albin Kurti.

Në një deklaratë ekskluzive për Nacionale, Grenell na pati thënë marrëdhëniet Kosovë-ShBA janë në krizë: me referent Albin Kurtin.

Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerik

Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, tha Richard Grenell për Nacionale.

Shpërndaje në

U Kopjua