Kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës, ka thënë dje kreu i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), Ymer Fejzullahu. E lidhur me këtë ka reaguar deputetja Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se kjo do të jetë e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset pasi qeveria vitia e kaluar ua dyfishoi çmimin e rrymës, shkruan Gazeta online Reporteri.net.
Bajrami e LDK-së thotë se qeveria Kurti s’ka bërë asnjë projekt të ri për prodhimin e energjisë dhe asnjë investim në kapacitetet ekzistuese si dhe as strategji për uljen e varësisë nga importi.
Për Bajramin, qeveria këto katër vite e ka lënë vendin në mëshirën e çmimeve të importit, ndërsa qytetarët po paguajnë gjithnjë fatura më të larta. Madje ajo thotë se qeveria po heshtë karshi shqyrtimit të kërkesës nga ana e ZRRE-së.
“Në mandatin e kaluar, kjo qeveri DYFISHOI çmimin e energjisë elektrike. Sipas raportimeve të mediave, kompanitë e sektorit të energjisë kanë kërkuar një rritje tjetër të çmimit prej rreth 35%, që do të jetë barrë e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset”.
“Për 4 vite, qeveria ka lënë vendin në mëshirën e çmimeve të importit, ndërkohë që qytetarët paguajnë fatura gjithnjë e më të larta. Si është e mundur që paguajmë gjithnjë më shumë, por nuk kemi asnjë MWh shtesë të prodhuar në katër vitet e fundit?
“Derisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar dhe po shqyrton kërkesat e kompanive për lejimin e të hyrave për 1 prill 2025 deri me 31 mars 2026, Qeveria në detyrë po heshtë”, thotë mes tjerash Bajrami.
Sipas deputetes së LDK-së, qeveria e ka për detyrë të deklarohet nëse do të lejojë të ketë rritje tjetër të çmimit nga 1 prilli, dhe se qytetarët nuk munden që vazhdimisht të paguajnë më shumë për shkak të siç thotë ajo, keqmenaxhimit dhe paaftësisë së qeverisë.
“Qeveria në detyrë e ka për obligim të deklarohet nëse do të lejojë të ketë edhe rritje tjetër të çmimit të energjisë nga 1 prill, apo do të marrë masa për ta parandaluar?
Ata duhet ta dinë se edhe dhe një rritje tjetër e faturave të energjisë do të jetë e papërballueshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve – nuk munden qytetarët në vazhdimësi të paguajnë më shumë për shkak të keqmenaxhimit dhe paaftësisë së qeverisë”, shkruan Bajrami.
“Mjaft më me rritje çmimesh, mjaft më me justifikime!
Qytetarët ende po bartin barrën e inlfaciont mbi 50% të produkteve të konsumit bazë. Energjia nuk është lluks është domosdoshmëri për secilën familje”, ka shkruar deputetja e LDK-së.