Në seancën e rigjykimit të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë në gjykimin ndaj Berat Berishës, i cili akuzohet për vrasjen e xhaxhait të tij S.B., dëshmitaret A.B., dhe R.D., deklaruan se kishin dëgjuar krismat e armës ditën kritike të 28 prillit 2023, kur kishte ndodhur vrasja në Kijevë të Malishevës dhe rrëfyen se ku ndodheshin në ato momente.
Dëshmitarja A.B., (kushërirë e viktimës dhe të akuzuarit) tha se kishte qenë në korridorin e shtëpisë kur dëgjoi krismat e armës dhe me të dalë në ballkon kishte parë viktimën duke vrapuar e duke thënë “më vrajti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Qysh kam deklaru edhe njëherë, kam qenë në shtëpi, kam qenë në korridorin e shtëpisë time dhe kam dëgju disa të shtëna, pastaj kam dalë në ballkonin e shtëpisë dhe kam pa të ndjerin duke vrapuar teposhtë rrugës, duke thënë ‘o më vrajti, o më vrajti’, pasi që ka vazhdu teposhtë, e kam pa të akuzuarin duke shtënë në drejtim të tij”, tha dëshmitarja.
Dëshmitarj A.B., tha se në momentin kur ka qenë brenda ka dëgjuar dy krisma, ndërsa kur ka dalë jashtë së bashku me nënën e saj, e kanë parë tani të ndjerin duke vrapuar. Më pas, tha se dëgjoi prapë të shtëna por që nuk i kujtohet sa ngase kishin hyrë brenda.
Ndërsa dëshmitarja R.D., tha se ditën kishte qenë duke qëndruar tek shtëpia e të akuzuarit pasi që të njëjtin e ka dajë. Tha se i kishte parë të akuzuarin dhe tani të ndjerin duke u fjalosur me fjalë të rënda.
“Kur i kam pa unë prej dritares kanë qenë duke u rrokur me fjalë, tani unë e kam hap dritaren i kam dëgjuar më mirë, daja S., (tani i ndjeri) u dëgju duke e fyer shumë keq, fjalë të rënda, duke e shajt, daja Berat u ardhë shpejt mrena edhe u dal jashtë, tani ka ndodh vrasja, njëherë e ka plagos, tek rruga andej, pastaj ka vazhdu tek shtëpia e tij dhe i thojke daja S., dajës Berat, ‘pritëm vetëm pak deri sa të shkoj deri në shtëpi’ dhe tani ka gjujt apet”, tha dëshmitarja.
R.D., tha se nuk i kujtohet saktë se sa të shtëna kanë qenë, por se mendon që ishin ti. Tha se para se të shtihej me armë në drejtim të S.B., ky i fundit dhe i akuzuari kanë qenë tek arka e betonit.
Kurse, dëshmiari S.B., (kushëriri i tyre)tha se nuk kishte parë rastin e vrasjes, mirëpo shtoi i akuzuari dhe tani i ndjeri kanë pasur raporte të mira.
“Punë sherri ka qenë ajo arkë e qysh ka ardhë e tek ka ardhë s’e di, për diçka tjetër s’e di dhe s’du me ditë”, tha dëshmitari Sejdiu.
Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Ismet Tofaj, bëri të ditur se të dëmtuarit dhe dëshmitarja D.D., gjenden jashtë vendit, andaj propozoi të lexohen deklaratat e tyre.
Kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia konstatoi se për seancën e sotme kanë qenë të planifikuar të dëgjohen të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarëve.
Sipas tij, marrë parasysh se dy të dëmtuarit dhe dëshmitarja D.D., jetojnë jashtë vendit, kërkoi mendimin lidhur me leximin e deklaratave të tyre sikurse ka kërkuar edhe pala e dëmtuar, meqenëse të njëjtit kanë deklaruar shqyrtimin e kaluar.
Prokuroja Dëshirë Jusaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Nuhi Krasniqi thanë se ia lënë Gjykatës në vlerësim.
Pas kësaj, gjykatësi Haraçia e miratoi propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, që deklaratat e të dëmtuarve dhe deklarata e dëshmitares të konstatohen të lexuara.
“Dëshmitarët e lartcekur s’kanë qenë dëshmitarë okularë dhe pasi që ata kanë dhënë dëshminë sa i përket raporteve familjare, Gjykata konsideron se dëshmia e tyre është e mjaftueshme”, tha gjykatësi Drilon Haraçia.
Ndërsa avokati Krasniqi propozoi të dëgjohet zyrtari policor Musa Gashi në cilësi të dëshmitarit, me arsyetimin se në kallëzim penal ka konstatuar se “viktima i ka thënë kryerësit të veprës se e marr arkën pasi është e tij”, ku sipas tij kjo përcjellet në aktakuzë dhe akgjykim.
Avokati po ashtu deklaroi se mbetet në tërësi pranë propozimit të dhënë më përpara që i mbrojturi i tij të dërgohet në ekzaminim psikiatrik për herë të dytë, pasi që Gjykata e Apelit ka dhënë disa vërejtje.
Lidhur me propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarit Gashi, Gjykata do të vendosë në seancën e radhës, ndërsa u miratua propozimi që i akuzuari të dërgohet në ekzaminim psikiatrik, duke marrë parasysh vërejtjet e dhëna nga Apeli.
Gjykatësi tha se Gjykata do të përpilojë aktvendim të posaçëm lidhur me detyrat për ekspertët të cilët do të caktohen, e të cilët nuk do të jenë ekspertët e njëjtë që e kanë përpiluar ekspertizën e parë.
Ndryshe, më 27 maj 2024, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte dënuar të akuzuarin Berisha me 21 vjet burgim.
Ndërsa, përmes vendimit të përpiluar më 16 tetor 2024, Apeli ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ashtu që çështja është kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të përpiluar më 12 tetor 2023, Berat Berisha akuzohet se më 28 prill 2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B.
Në aktakuzë thuhet se, në ditën kritike me të vërejtur viktimën se me punëtorin B., po e rrokullisë arkën e betonit të marrë nga pjesa e lartë e oborrit në rrugicën e përbashkët të shtëpive, ka dalë nga shtëpia dhe me ton të lartë i thotë “ku po e qon gypin, nuk guxon ta marrësh”, viktima i thotë “e marr se është e imja, se po më vyen me e dërgua te bunari” si dhe për shkak të motiveve të ulëta, shkaku i dyshimeve që i pandehuri kishte se viktima ka pasur raport intim me gruan e tij, i pandehuri i mllefosur shkon në shtëpinë e tij merr pistoletën dhe me t’u afruar tek viktima në distancë prej 3-4 metra gjuan drejt në trup të S.B.
Më pas, thuhet se viktima mundohet të ikë më tej, por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me atë rast viktima nga plagët e marra thotë “o më vrajti, o më vrajti”, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ikë edhe për 3-4 metra më tej, mirëpo i pandehuri e ndjekë prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi.
Bazuar në aktakuzë, thuhet se vdekja e tani të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë nga ekspertit mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se vdekja e viktimës S.B., ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kokës dhe kraharorit nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit.
Me këto veprime, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, par.1 nënpar. 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri Berisha ngarkohet se ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armët- një pistoletë gjysmë-automatike e tipi “Crvena Zastaca”, gjashtë fishekë të kalibrit 9×19 mm si dhe një pushkë e gjuetisë, një fishek i kalibrit 7.65×17 mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore.
Për këtë, Berisha ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1, të Kodit Penal