Gjatë një vizite shtetërore dy-ditore në Portugali, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një Evropë më të bashkuar dhe më të fuqishme, duke theksuar nevojën për t’u përballur me sfidat globale.
AFP dhe mediat lokale njoftojnë se Macron, në një fjalim të mbajtur të enjten, kërkoi nga Portugalia që evropianët të mos u nënshtrohen Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të mos zgjedhin të jenë vasalë të lumtur të tyre.
Ai u bëri thirrje evropianëve të “rizbulojnë ambicien dhe fuqinë e tyre”, përballë paparashikueshmërisë që karakterizon politikën e presidentit amerikan Donald Trump, si në çështjen e Ukrainës ashtu edhe për tarifat doganore.
Kujtojmë se Macron ishte i pari nga liderët evropianë që vizitoi Trump në Shtëpinë e Bardhë këtë javë për të diskutuar situatën në Ukrainë. Gjatë bisedimeve me presidentin amerikan, ai theksoi rëndësinë e një qëndrimi të përbashkët për Ukrainën.
Gjithashtu shtoi se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.
Ndërkohë që të enjten edhe kryeministri britanik Keir Starmer zhvilloi një takim me presidentin amerikan Donald Trump. Diskutimet mes dy aleatëve u përqëndruan kryesisht në çështjet e sigurisë në Ukrainë.
Ndërkohë që këtë të premte Shtëpinë e Bardhë pritet ta vizitojë Presidenti Ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili pritet të firmos marrëveshjen për mineralet e rralla me SHBA.