Në rundin e fundit të bisedimeve për fazën e dytë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nuk është bërë asnjë përparim.
Një zyrtar i lartë i grupit radikal palestinez tha se është e paqartë nëse do të rinisin bisedimet të shtunën për fazën e dytë të armëpushimit.
Faza e parë e armëpushimit, që ndaloi luftën 15-mujore në Rripin e Gazës, mundësoi lirimin e 33 pengjeve, tetë trupave të pajetë në këmbim të lirimit të pothuajse 2.000 të burgosurve palestinezë.
Kjo fazë përfundon të shtunën, por sipas marrëveshjes, luftimet nuk do të rinisin derisa mbahen negociatat për fazën e dytë, fazë mund t’i japë fund luftës në Gazë.
Zyrtarët nga Izraeli, Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, janë përfshirë në negociata për fazën e dytë në bisedimet që mbahen në Kajro dhe që synojnë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura dhe tërheqjen e trupave izraelite.
Hamasi nuk ka marrë pjesë në bisedime, por qëndrimin e përfaqëson përmes ndërmjetësve nga Egjipti dhe Katari. Basem Naim, anëtar i byrosë politike të Hamasit, i tha The Associated Press se nuk ka pasur “përparim” në gjetjen e një zgjidhjeje para se negociatorët izraelitë të ktheheshin në shtëpi të premten mbrëma.
Tani, nuk është e qartë nëse negociatorët do të kthehen në Kajro për të vazhduar bisedimet të shtunën, siç ishte paraparë më herët, dhe Naimi tha se nuk ka informacione se kur do të mund të rinisin bisedimet.
Hamasi e nisi luftën në Gazë, pasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Që atëherë, si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 48.000 palestinezë.
Në janar, dy palët u pajtuan për një marrëveshje armëpushimi me tri faza, që synon përfundimin e luftës.