Persona të armatosur dhe forcat e sigurisë të lidhura me drejtuesit e rinj islamikë të Sirisë kanë vrarë më shumë se 340 persona, përfshirë gra dhe fëmijë nga pakica alavite, në rajonin bregdetar të vendit që nga e enjtja, tha kreu i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdulrahman. Agjencia Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur njoftimet.
Abdulrahman tha se vrasjet në Jableh, Baniyas dhe zonat përreth ku është përqendruar popullata alavite e Sirisë, janë rasti më i rëndë i dhunës prej vitesh në konfliktin civil 13-vjeçar.
Autoriteti i ri qeverisës ndërmori të enjten një goditje ndaj asaj që e quajti një kryengritje në fillesat e saj, pasi militantët e lidhur me qeverinë e ish-presidentit Bashar al-Assad kishin ngritur prita vdekjeprurëse.
Disa dhjetëra anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë në përleshje intensive me militantët, tha një zyrtar sirian i sigurisë.
Zyrtarët kanë pranuar që ka pasur shkelje gjatë operacionit, për të cilin kanë fajësuar turma të paorganizuara civilësh dhe luftëtarësh që donin të mbështesnin forcat zyrtare të sigurisë ose kryen krime në mes të kaosit të luftimeve.
Një burim i ministrisë së mbrojtjes i tha medias shtetërore të shtunën se të gjitha rrugët që të çojnë në bregdet ishin bllokuar për të ndaluar shkeljet dhe për të ndihmuar në kthimin e qetësisë, ndërsa forcat e sigurisë që u vendosën në rrugët e qyteteve bregdetare.
Burimi shtoi se një komitet urgjent i ngritur për të monitoruar shkeljet do të dërgonte në gjykatë ushtarake të gjithë ata që nuk u ishin bindur urdhrave të komandës ushtarake.
Niveli i raportuar i dhunës, që përshin njoftime për ekzekutimin e dhjetëra burrave alavitë në një fshat, vë në pikëpyetje më tej aftësinë e autoritetit qeverisës islamik për të qeverisur në një mënyrë gjithëpërfshirëse, për të cilën kryeqytetet perëndimore dhe arabe kanë thënë se është një shqetësim kyç.
Assadi u rrëzua dhjetorin e kaluar pas dekadave të sundimit të familjes së tij e karakterizuar nga shtypja e ashpër dhe një luftë civile shkatërruese.
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed Sharaa, ndërsa mbështeti goditjen në një fjalim televiziv të premten vonë, tha se forcat e sigurisë nuk duhet të lejojnë askënd që “ta teprojnë në përgjigjen e tyre… sepse ajo që na dallon nga armiku ynë është përkushtimi ynë ndaj vlerave tona”, raporton REL.
“Kur heqim dorë nga morali ynë, ne dhe armiku përfundojmë në të njëjtën anë”, tha ai, duke shtuar se civilët dhe robërit nuk duhet të keqtrajtohen.