Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se paqja është një “qëllim i përbashkët” përpara diskutimeve të ditës së nesërme në Arabinë Saudite midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.
“Pozicionet e forta në vijën e parë të frontit dhe diplomacia e fortë duhet të punojnë së bashku për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Nën udhëheqjen e SHBA-së dhe në bashkëpunim me të gjithë Evropën, kjo është absolutisht e arritshme. Paqja është qëllimi ynë i përbashkët”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Presidenti theksoi përpjekjet evropiane për të rritur mbështetjen për Ukrainën në javët e fundit, duke përfshirë “paketat e reja të mbrojtjes, forcimin e mbrojtjes ajrore dhe edhe më shumë investime në industrinë e mbrojtjes”.
Udhëheqësi ukrainas përsëriti mirënjohjen e vendit të tij “për të gjithë partnerët” që punojnë për të sjellë paqen në Ukrainë.
Zelensky mbërriti në Arabi Saudite sot dhe u takua me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman. Ai nuk pritet t’i bashkohet takimit nesër mes delegacionit të tij dhe amerikanëve.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha foli gjithashtu me homologun e tij britanik David Lammy për diskutimet e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.
“Përpara takimit në Jeddah, theksova se Ukraina dëshiron t’i japë fund luftës më shumë se askush tjetër”, shkroi ai në mediat sociale.