Live

Mbyllja e TikTok-ut, protesta e thirrur nga Berisha pritet të mbahet të shtunën

16:01 / 11 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka njoftuar për një protestë më 15 mars kundër vendimit të qeverisë shqiptare për mbylljen e platformës TikTok.

Protesta pritet të zhvillohet para godinës së Kryeministrisë dhe është caktuar të mbahet në orën 19:00 të pasdites të së shtunës.

Thirrja për këtë protestë u bë pas vendimit të Kryeministrit Edi Rama për të mbyllur TikTok në Shqipëri për një periudhë prej një viti.

Berisha e cilësoi këtë vendim si “akt brutal” dhe një “intolerancë ndaj mendimit ndryshe”, duke shtuar se ky bllokim u mor pasi përdoruesit e TikTok po e kritikonin dhe përqeshnin Kryeministrin Rama.

Në reagimin e tij, Kryeministri Edi Rama, përmes një video-mesazhi në Facebook, sqaroi se ky vendim u mor pas kërkesave të shumicës së prindërve dhe mësuesve të Këshillimit Kombëtar.

Sipas Ramës, mbyllja e TikTok nuk ka lidhje me lirinë e fjalës, por është një masë për sigurinë e fëmijëve në internet. “95% e prindërve dhe mësuesve kërkuan që të mbyllim TikTok-un sa më shpejt.

Po punojmë me kompaninë për të siguruar që platforma të ofrojë një plan të qartë për mbrojtjen e të miturve”, theksoi Rama.

Ai shtoi se kjo mbyllje është përkohshme dhe do të zgjasë deri në momentin që TikTok të ofrojë garanci të plota për mbrojtjen e fëmijëve. Për më tepër, Rama e quajti Berishën “bufi i kënetës” dhe kritikoi qëndrimin e tij lidhur me protestën.

Qeveria shqiptare ka vendosur të mbyllë TikTok nga mesi i marsit për një periudhë njëvjeçare.

Ky vendim, që do të hyjë në fuqi pas një jave, është njoftuar nga Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pas një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave.

Sipas saj, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë menjëherë platformën kineze për të shmangur ndikimet negative të mundshme tek fëmijët.

Shpërndaje në

U Kopjua