Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar të shtunën se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e ka seriozisht arritjen e paqes. Deklarata e tij erdhi para takimit virtual me liderët e tjerë evropianë për të biseduar rreth Ukrainës, raporton BBC.
Afërsisht 25 liderë pritet të marrin pjesë në takimin virtual, ndërkaq Starmer ka thënë se Putini nuk duhet të lejohet “të bëjë lojëra” me armëpushimin e propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Takimi virtual që do të zhvillohet më vonë është tubimi më i fundit i të ashtuquajturit “koalicioni i të vullnetshmëve” – i emërtuar si i tillë kur liderët evropianë vizituan Londrën në fillim të këtij muaji.
Ka pasur disa zhvillime të rëndësishme që nga ajo kohë, përfshirë një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA-ja, i mbështetur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, por ende pa një përgjigje përfundimtare nga Putini.
Pavarësisht ngërçit aktual, presidenti Trump ka shprehur optimizëm për një marrëveshje, duke thënë se ka pasur diskutime “të mira dhe produktive” me Putinin të enjten.