Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian që ishte planifikuar të mbahet në Maqedoni të Veriut është dhtyrë për një datë të pacaktuar.
Kështu ka njoftuar për Periskopin, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
”Për shkak të incidentit tragjik të zjarrit në klubin e natës që u mori jetën 59 personave dje në Koçan, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar shtyrjen e Takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor , që do të mbahet në Shkup këtë javë”, thuhet në njoftim.
Takimi ishte paraparë të mbahet më 19 dhe 20 Mars në Shkup.
Çka ndodhi në Maqedoni të Veriut?
Zjarri në diskotekën e Koçanit mori pas vete jetën e 59 të rinjve ndërsa la të plagosur mbi 150 të tjerë. Për nga numri i viktimave renditet si tragjedia e tretë në historinë më të re të Maqedonisë së Veriut.
Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ka rënë në orët e para të mëngjesit të 16 marsit.
Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar.
Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë.
Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë.
Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës.