Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se “shumë elementë” të një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë janë rënë dakord me homologun e tij rus, Vladimir Putin, përpara një telefonate të shumëpritur mes tyre.
Trump shkroi në rrjetin Truth Social se biseda me Putinin do të zhvillohet të martën në mëngjes. Ai theksoi se, megjithëse janë arritur disa marrëveshje, ende mbetet shumë punë për të bërë.
“Çdo javë sjell 2,500 vdekje ushtarësh nga të dyja palët, dhe kjo duhet të përfundojë tani. Mezi pres telefonatën me presidentin Putin,” u shpreh Trump.
Në një deklaratë të mëparshme, Trump u tha gazetarëve se shpreson që presidenti rus të bie dakord për një armëpushim në Ukrainë.
“Do të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje paqeje, një armëpushim dhe stabilitet, dhe unë mendoj se do të jemi në gjendje ta realizojmë atë”, tha Trump.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e akuzoi Putinin për zvarritjen e luftës, duke theksuar se një marrëveshje e tillë mund të ishte arritur më herët.
“Ky propozim mund të ishte zbatuar shumë kohë më parë,” tha Zelensky, duke shtuar se “çdo ditë në luftë përkthehet në jetë të humbura”, raporton euronews.
Brenda administratës Trump ka pasur paqartësi mbi nivelin e avancuar të negociatave. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pas një takimi me zyrtarët ukrainas në Jeddah, deklaroi se “pjesa më e madhe” e bisedimeve ishte mbi procesin e negociatave dhe jo mbi kushtet specifike të paqes.
Ndërkohë, Britania e Madhe dhe Franca i kanë bërë thirrje Putinit që të tregojë përkushtimin e tij ndaj një marrëveshjeje paqeje. Presidenti francez Emmanuel Macron lavdëroi “guximin” e Zelenskyt për të pranuar një propozim armëpushimi dhe sfidoi Rusinë të vepronte njësoj.
“Mjaft me vdekje. Mjaft me jetë të shkatërruara. Mjaft me shkatërrim. Armët duhet të heshtin,” tha Macron në një postim në rrjetin X.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, deklaroi se Putini duhet të pranojë një “armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar tani”, duke theksuar se ende nuk ka shenja që Rusia është e gatshme për një marrëveshje serioze paqeje.
Shtëpia e Bardhë dha një notë më optimiste në prag të bisedimeve Trump-Putin, duke thënë se paqja në Ukrainë “nuk ka qenë kurrë më afër”. Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi se Trump është “i vendosur” për të siguruar një marrëveshje paqeje.
Bisedimet pritet të përfshijnë çështje të ndjeshme si termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia, i pushtuar nga forcat ruse që nga viti 2022. Trump la të kuptohet se negociatat mund të prekin edhe çështje territoriale.
Nga ana tjetër, Kremlini ka refuzuar të komentojë mbi detajet e bisedimeve, me zëdhënësin Dmitry Peskov që u shpreh: “Ne kurrë nuk i zbulojmë këto detaje paraprakisht”.
Ndërsa propozimi i paqes është në tryezë, mbetet e paqartë se si do të ecin përpara negociatat. Ukraina dhe SHBA kanë zhvilluar takime në Arabinë Saudite, ku u propozua një armëpushim 30-ditor që Kievi e ka pranuar.
Presidenti Macron dhe kryeministri i sapozgjedhur kanadez, Mark Carney, kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Ukrainën, duke kërkuar “angazhime të qarta” nga Rusia. Për momentin, fati i bisedimeve të paqes varet nga rezultati i bisedës Trump-Putin dhe gatishmëria e Moskës për të pranuar një marrëveshje të drejtë.