Live

Dodikut i dështon plani për të shkuar në Rusi, Putini nuk ka kohë për të

10:08 / 18 Mars 2025

Nga Kosova Live

“Milorad Dodik planifikon të udhëtojë për në Moskë të mërkurën e ardhshme”, njoftoi disa ditë më parë Christian Schmidt.

Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë i uroi Presidentit të Republikës Sërpska “udhëtim të sigurt”, duke aluduar se “ka një vend, një shtet anëtar i BE-së, që me sa duket po planifikon shoqërim me të”. Ai ndoshta do të thoshte Hungarinë, raporton Slobodna-bosna, transmeton Klan Kosova.

Presidenti i Republika Srpska ishte duke u përgatitur prej ditësh për udhëtimin e tij në Moskë, ku sipas njoftimeve do të pritej nga presidenti rus Vladimir Putin. Ai duhej të largohej sot, e martë, më 18 mars, ndërsa takimi me Putinin duhej të zhvillohej të mërkurën, raporton media boshnjake.

Por dje, i gjithë plani për të udhëtuar në Rusi dështoi. Sipas informacioneve nga burime të afërta me Dushan Peroviqin, shefin e Zyrës së Përfaqësimit të RS-së në Moskë, rreth orës 15:00 është thirrur nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ftesa nga një post kaq i lartë në qeverinë ruse i ka pëlqyer Peroviqit, por jo ajo që i tha shkurt dhe ftohtë ministri Lavrov:

“Zotëri Peroviq, po ju thërras për të thënë se vizita e presidentit Milorad Dodik po shtyhet. Presidenti Vladimir Putin nuk mund ta presë”.

Shefi i Përfaqësimit, Dushan Peroviq, përmes të cilit kryhen të gjitha kontaktet mes Moskës dhe Banja Llukës, e pyeti ministrin rus nëse ekziston mundësia që shefat e tyre, Dodiku dhe Putini, të paktën të flasin në telefon, të cilit iu përgjigj: “Për fat të keq, nuk ka mundësi, presidenti Putin ka shumë obligime dhe nuk mundet”, shkruan Slobodna-bosna.

Ky ishte lajmi i dytë i keq që mori dje Milorad Dodiku. Udhëtimi i tij në Beograd dhe takimi me Aleksandar Vuçiqin, me të cilin megjithatë foli në telefon, ishte anuluar më parë.

Në vend që të shkojë në Moskë, Presidenti i Republikës Sërpska do të udhëtojë sot në Trebinje, ku po mbahet një samit për energjinë.​

Shpërndaje në

U Kopjua