Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i ka dalë në përkrahje kryetarit Lumir Abdixhiku, pas kritikave nga deputeti i partisë, Avdullah Hoti.
Haziri në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë.
“LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë
Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë saj.
Anëtarësia e saj ka vendosur me 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit.
Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët” – ka shkruar ai.
Tutje Haziri ka folur për “beteja të humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”.
“Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti!”.