Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë dhënë indikacione të qarta lidhur me qasjen që do ta aplikojnë në Ballkanin Perëndimor, ka thënë eksperti amerikan për rajonin, Daniel Serwer.
Përveç mbështetjes së fortë që administrata aktuale i dha sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Serwer thotë se diçka e ngjashme nuk është parë edhe në raport me Kosovën.
“Tani për tani, rajoni është në autopilot. Përveç mbështetjes së fortë që administrata i ka dhënë sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, nuk kam parë indikacione se cila do të jetë politika. Kjo është vazhdimësi e qëndrimit ekzistues amerikan, por e ritheksuar me zë të lartë dhe në mënyrë të dobishme. Nuk kam parë ende diçka të ngjashme për Kosovën”, ka thënë Serwer.
Përfshirja eventuale e SHBA-së është përmendur në kontekstin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar mandatit të parë kur Donald Trump kishte shtyrë palët drejt një marrëveshjeje ekonomike.
Me gjithë trajektoren që morën raportet ShBA-BE pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, kur vije puna tek dialogu, sipas Serwerit, Uashingtoni duket se do t’ia lë Brukselit.
“Unë mendoj se kjo administratë do të dëshirojë që Brukseli të marrë drejtimin e dialogut. Në përgjithësi, SHBA-ja dhe BE-ja janë në trajektore të ndryshme sot, por ende nuk kam parë ndonjë tregues për këtë në çështjen e dialogut”, ka shtuar ai.
Së fundi, “Al Jazeeera” raportoi se SHBA-ja do ta emërojë Colleen Hyland zëvendësndihmës sekretare për Ballkanin Perëndimor, në vend të Alexander Kasanofit. Hylandi është diplomate me përvojë që ka punuar në disa misione diplomatike të SHBA-së, përfshirë edhe në Kosovë, ku ishte zëvendësambasadore në periudhën 2016-2019.
Serwer thotë se emërimi eventual i Colleen Hyland nuk tregon as vazhdimësi e as ndryshim të qasjes së administratës aktuale në raport me Ballkanin. Sipas tij, Hyland do të bëjë atë që dëshiron administrata e Trumpit.