Live

Britania uroi Kosovën për njohjen nga Kenia, reagon Petkoviqi

12:54 / 28 Mars 2025

Nga Kosova Live

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka uruar vendin për sigurimin e njohjes së pavarësisë nga shteti afrikan, Kenia.

E ky urim nuk i ka pëlqyer drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Në një reagim në platformën X, ai tha se e di se sa i intereson atij e drejta ndërkombëtare dhe shtoi se pret ta urojë edhe Beogradin kur të ketë tërheqje njohjesh të pavarësisë së Kosovës.

“Mendoj se ju Jonathan Hargreaves do të përgëzoni edhe Beogradin, kur të bëhen tërheqjet e reja të njohjes së të ashtuquajturës Kosovë. E di sa shumë ju intereson e drejta ndërkombëtare”, shkroi Petkoviqi në X, duke ndarë edhe postimin e Hargreaves, raporton Klankosova.tv.

Shteti i kontinentit afrikan njohu shtetësinë e Kosovës më 26 mars, njohje kjo që erdhi pas afro 5 vjetësh të ngecjes së këtij procesi.

Ajo u sigurua nga kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili dha edhe detaje për arritjen e saj.

Në një postim në Facebook, ai tha se që nga viti 2009 kishte lobuar dhe biseduar me autoritetet keniane për ta arritur njohjen. 

Shpërndaje në

U Kopjua