Gjatë një vizite zyrtare në fillim të prillit në njësinë autonome serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Sërpska, Anna Luhrmann, ministre Shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane, u përball me kërcënime serioze nga përfaqësues të presidentit nacionalist Milorad Dodik.
Fillimisht iu ndalua në mënyrë joformale e drejta për të hyrë sërish në territorin e Republika Sërpskas, më pas u kërcënua se nuk mund t’i garantohej siguria dhe në fund, autoritetet kërcënuan me përdorim force nëse ajo nuk largohej menjëherë.
“Na u tha se duhet të largoheshim menjëherë, përndryshe do të përdorej dhuna”, tha Luhrmann në një intervistë zhvilluar për Deutsche Welle-n. Vizita ishte pjesë e një turneu diplomatik për të mbështetur perspektivën e anëtarësimit të Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Evropian.
Sinjal për Brukselin dhe Berlinin
Luhrmann e cilësoi incidentin si një sulm ndaj vlerave evropiane: “Të trajtosh në këtë mënyrë një përfaqësuese të një vendi partner si Gjermania është shenjë dobësie”, tha ajo. Shtoi se kishte marrë shumë mesazhe solidariteti, përfshirë nga qytetarë të Banjallukës, që e kishin distancuar veten nga veprimet e Dodikut. “Kjo nuk është Bosnja e vërtetë”, i kishin shkruar disa.
Dodiku i izoluar – dhe provokues
Sipas Luhrmann, Dodiku po bllokon reformën dhe po e çon vendin drejt izolimit. Kundër tij ekziston një urdhër arresti nga autoritetet e Bosnjës, për shkak të refuzimit për të dalë në seanca dëgjimore mbi veprimet e tij për ndarjen e territorit dhe ndryshimin e kushtetutës. “Presim që autoritetet vendore të veprojnë. EUFOR nuk është përgjegjëse për këtë sipas mandatit të tij”, tha ministrja.
Asnjë mundësi për bashkim me Serbinë
Luhrmann përjashtoi kategorikisht mundësinë që Republika Sërpska të bashkohet me Serbinë: “Do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, me kushtetutën dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve. Edhe në parlamentin e tij nuk ka shumicë për këto plane”.
Gjermania mbështet rrugën drejt BE-së
Ministrja nënvizoi se Gjermania është përkrahëse e fuqishme e Bosnjë-Hercegovinës: “E kemi ndihmuar vendin të marrë statusin kandidat për BE. Kemi përgatitur një paketë të madhe financiare në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor”. Por, theksoi ajo, bllokimet nga Dodiku e pengojnë vendin të ecë përpara.
Kthimi në Banjallukë? Po!
E pyetur nëse do të kthehej sërish në Republika Sërpska, pavarësisht se është shpallur persona non grata nga Dodiku, Luhrmann u përgjigj: “Po, sepse ky vendim nuk i takon Dodikut. Ai nuk ka të drejtë të përcaktojë kush hyn në Bosnje-Hercegovinë. Unë dua të kthehem, të takoj njerëzit, të dëgjoj dhe të tregoj se Gjermania është në krah të tyre”.