Hetimet për vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj kanë marrë një “kthesë” të papritur. Sipas raportimeve nga mediat italiane, janë gjetur gjurmë ADN-je të një burri në valixhen ku u gjet trupi i 23-vjeçares, e cila u hodh në një zonë pyjore jashtë Romës.
Vëmendja e hetuesve tani është përqendruar te babai i Mark Antony Samson, ish-të dashurit të viktimës, i cili nuk është aktualisht nën hetim. Sipas dëshmisë së nënës së autorit, bashkëshorti i saj nuk ndodhej në shtëpi kur Mark vrau Ilarian dhe më pas ajo e ndihmoi për të fshirë gjurmët e gjakut.
Megjithatë, tani pritet që babai i të dyshuarit të merret sërish në pyetje dhe t’i kryhen analizat për të verifikuar nëse ADN-ja e tij përputhet me atë që u gjet në valixhe.