Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të heqë statusin e përjashtimit nga tatimi për Universitetin Harvard dhe ka kërkuar që institucioni të kërkojë falje, një ditë pasi Harvard hodhi poshtë kërkesat e administratës së tij, të cilat i quajti të paligjshme, për të ndryshuar programet akademike ose për të humbur fondet federale.
Pas fillimit të kritikave ndaj Universitetit Columbia, administrata e Trump ka kritikuar universitetet në gjithë SHBA-në për mënyrën se si kanë menaxhuar protestat pro-palestineze, që shpërthyen pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në vitin 2023 dhe kundërpërgjigjes izraelite në Gaza.
Trump ka cilësuar protestat si anti-amerikane dhe antisemite, ka akuzuar universitetet për përhapje të marksizmit dhe ideologjisë së “radikalëve të majtë”, dhe ka premtuar t’u ndërpresë fondet universiteteve që nuk pajtohen me kërkesat e tij, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Në një postim në rrjete sociale të martën, Trump tha se po shqyrton mundësinë që Harvard të humbasë statusin e përjashtimit nga tatimi nëse vazhdon, sipas tij, të përhapë “sëmundje politike, ideologjike dhe të frymëzuar nga terrorizmi”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump dëshiron që Harvard të kërkojë falje për “antisemitizmin që ndodhi në kampusin e saj kundër studentëve hebreo-amerikanë”. Ajo akuzoi Harvardin dhe institucione të tjera për shkelje të Aktit të të Drejtave Civile, që ndalon diskriminimin mbi bazë race apo origjine kombëtare nga përfituesit e fondeve federale.
Ndërkohë, disa profesorë dhe studentë kanë thënë se protestat po barazohen padrejtësisht me antisemitizmin dhe se kjo po përdoret si pretekst për të goditur lirinë akademike.
Universiteti Columbia, një shkollë private në Nju Jork, pranoi të negociojë mbi rregullat e protestës pas vendimit të administratës Trump për të ndërprerë fonde dhe kontrata në vlerë prej 400 milionë dollarësh.
Presidenti i Harvardit, Alan Garber, në një letër të hënën, tha se kërkesat e administratës Trump, përfshirë një auditim për “diversitetin e pikëpamjeve” dhe përfundimin e programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes – ishin shkelje të paprecedentë të ligjit dhe të lirisë së shprehjes.
Disa orë më vonë, Task Forca e Përbashkët për Luftimin e Antisemitizmit njoftoi se po ngrinte më shumë se 2 miliardë dollarë në kontrata dhe grante për Harvardin. As administrata Trump, as Harvard nuk kanë dhënë komente të mëtejshme mbi këtë vendim.