Kuvendi i Kosovës ka hapur rrugën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pasi u votua raporti i komisionit për verifikimin e mandateve.
Pas kësaj pike, LVV-ja, si grupi më i madh parlamentar, e propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Ajo nuk mori votat e mjaftueshme, dhe Kuvendi shkoi në pauzë, për të vazhduar më pas me propozime të emrave tjerë, ose të Haxhiut sërish.
Flamur Gajtani, gazetar i Klan Kosovës që po e përcjellë këtë seancë, ka thënë se deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, nuk ka marrë pjesë në këtë votim.
“Ajo që mund të konsiderohet befasi, deputetja Duda Balje nuk mori pjesë fare në votim. Është folur paraprakisht se ka pasur oferta, e madje edhe për pozitë të ministres, ndërsa qëndrimi i saj i sotëm për të mos marrë pjesë në votim më shumë shihet si rreshtim me partitë që deri në mandatin e kaluar ishin në opozitë, si AAK-ja, duke pasur parasysh se si sot, ashtu edhe në dy tentimet e kaluara për konstituimin e Kuvendit, ajo ka pasur një përafrim dhe biseda me deputetët e AAK-së”, deklaroi gazetari Gajtani.
PDK dhe LDK kanë deklaruar se nuk do të votojnë asnjë kandidat që vjen nga LVV-ja.