Të paktën pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e dallgëve të mëdha që kanë goditur disa rajone bregdetare të Australisë, raportoi të shtunën BBC-ja. Dy persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Tragjedia ka prekur kryesisht brigjet e shteteve të Uellsit të Ri Jugor dhe Viktorias. Të shtunën, trupi i një burri u gjet në ujërat pranë Tathras, në Uellsin e Ri Jugor, vetëm një ditë pasi një peshkatar 58-vjeçar dhe dy burra të tjerë u gjetën të vdekur në incidente të ndara në këtë zonë.
Ndërkohë, ekipet e shpëtimit janë në kërkim të një burri në afërsi të Sidneit.
Ngjarje tragjike janë shënuar edhe në Victoria, ku të premten një grua u mbyt dhe një burrë rezulton i zhdukur, pasi grupi i tyre mbeti në det në zonën e San Remos.
“Një nga gratë arriti të kthehej në breg, por gruaja tjetër dhe burri nuk mundën,” ka bërë të ditur policia lokale.
Kryeministrja e Victorias, Jacinta Allan, ka reaguar pas ngjarjeve tragjike, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
“Mendimet e mia janë me familjen e atyre që kanë humbur jetën në rrethana kaq tragjike,” ka deklaruar ajo, duke e cilësuar situatën si një fillim të tmerrshëm të fundjavës së Pashkëve.