Të shtëna me armë për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme mes dy personave kanë ndodhur sot në qytetin e Pejës.
Rasti i cili u konfirmua për Klankosova.tv edhe nga Policia e Kosovës, kishte nisur dy vjet më parë. I dyshuar për tentim-vrasje është Miftar Dobraj.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, gjithçka nisi më 19 maj të vitit 2023, pas një zënke në mes të dyshuarit të lartpërmendur dhe viktimës, Dardan Manaj i njohur si “Manilla”– i cili atë kohë ishte i dyshuar.
Atë vit, djali i “Manillës” (atë kohë i dyshuar), ka nxjerr armën nga brezi me të cilën ka shtënë një herë në drejtim të veturës ku gjendej Miftar Dobraj, i dyshuari për rastin e sotëm në Pejë. Pas kësaj zënke, nuk pati të lënduar.
Lidhur me këtë rast, më 24 maj u arrestuan Dardan Manaj, pra “Manilla” bashkë me djalin e tij. Ky i fundit kishte dorëzuar në stacionin e policisë armën e cila dyshohej të jetë përdorur në rast.
Babë e bir me mbiemrin Manaj u intervistuan në po të njëjtin vit dhe pas intervistimit, djali i “Manillës” me vendim të prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa babai i tij, Dardan Manaj, ishte liruar.
Hetimi që do të zhvillohet për incidentin e sotëm pritet të konfirmojë nëse dy rastet kanë ndërlidhje. /Klankosova.tv
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.