Zëdhënësi i BE-së për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier tha se është herët të paragjykohet nëse do të ketë pasoja për Serbinë pas deklarimit të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, se do të marrë pjesë në paradën e 9 majit në Moskë, që shënon Ditën e Fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj forcave naziste.
“Nuk po themi se nuk do të ketë pasoja, por është herët të paragjykojmë. Nuk po spekulojmë pasi siç e dini po flasim për një ngjarje që ndodh më 9 maj dhe është herët për të treguar në këtë fazë”, deklaroi Mercier, raporton Klankosova.tv.
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, po qëndron në Moskë, ku ka takuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Ai ia përcolli Putinit përshëndetjet e Alleksandar Vuçiqit dhe konfirmoi se presidenti i Serbisë do të jetë në Moskë më 9 maj.
Ndërkaq, kryezëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, tha se as shtetet anëtare nuk duhet të marrin pjesë në këtë ceremoni e cila legjitimon luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Duhet të përmbahemi të t’i japim legjitimitet kësaj lufte dhe të përmbahemi nga pjesëmarrja në festimet e 9 majit në Moskë dhe ky është pozicion me të cilin u pajtuan shtetet anëtare më 2022 në lidhje me ngjarjet e përgjithshme që ndodhin në Rusi”, deklaroi Pinho.
Kjo u tha pasi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico ka deklaruar se do të marrë pjesë në këtë paradë në Moskë.