Papa Françesku refuzoi t’i kushtonte vëmendje këshillës për të ngadalësuar në vitet e tij të fundit, duke preferuar të “vdiste me çizmet mbathur”, sipas një bashkëpunëtori të tij të ngushtë.
Në një intervistë për BBC-në, Kryepeshkopi Paul Gallagher, ministri i jashtëm i Vatikanit që nga viti 2014, tha se Papa ishte i shtyrë të vazhdonte sepse e dinte se kishte një mundësi për të ndihmuar të pafuqishmit.
Ndërsa ai e përshkruan si një njeri të sjellshëm, të butë dhe të dhembshur, Kryepeshkopi Gallagher tha gjithashtu se Papa Françesku e dinte mendjen e tij dhe shpesh sfidonte këshillat e atyre përreth tij, transmeton Klankosova.tv.
“Një gjë që gjithmonë e admiroja tek ai – megjithëse nuk isha gjithmonë dakord në fillim – ishte se ai nuk i ikte gjërave të vështira”, tha Kryepeshkopi Gallagher.
“Ai do të përballej me problemet dhe kjo tregoi guxim të jashtëzakonshëm”, shtoi ai.
Papa Françesku, papa i parë latino-amerikan, vdiq të hënën në moshën 88 vjeç, pas një periudhe të shëndetit të dobët që e çoi në kalimin e pesë javëve në spital me pneumoni të dyfishtë.
I ulur në dhomën e tij të pritjes në Vatikan, Kryepeshkopi Gallagher tha se edhe ai vetë ishte habitur nga madhësia e boshllëkut që ndjen se ka lënë vdekja e Papës.
“Ai ishte s zëri i atyre që nuk kanë zë dhe ishte shumë i vetëdijshëm se shumica dërrmuese e njerëzve janë të pafuqishëm dhe nuk e kanë fatin e tyre në dorë. Mendoj se ai ndjeu se mund të kontribuonte diçka për t’i bërë gjërat pak më mirë për ta”, shtoi ai.
Zyrtari i Vatikanit, i cili shoqëroi Papën në udhëtimet e tij jashtë vendit, tha se ishte tërhequr veçanërisht nga gjendja e vështirë e emigrantëve dhe e grave dhe fëmijëve të zënë në konflikt, duke thënë se i ndjente vuajtjet e tyre “në një mënyrë shumë reale”.
Kryepeshkopi Gallagher sugjeroi se ndjenja e Papa Françeskut se ai mund të ndihmonte në lehtësimin e vuajtjeve është ajo që e shtyu të vazhdonte të punonte me ritëm të plotë edhe kur i ishte thënë të mos e bënte, duke thënë se mendonte se kishin kaluar “66 ose 67 vjet” që kur Papa kishte marrë pushime.
Udhëtimi i parë i Papa Françeskut jashtë Romës ishte për të takuar emigrantët në ishullin italian të Lampeduzës. Por më pas ai udhëtoi shumë jashtë vendit duke vizituar më shumë se 60 vende, dhe jo gjithmonë ato ku ndihmësit e tij dëshironin që ai të shkonte.