Pos që njihej si Papa i popullit, për shkak të angazhimit të pareshtur për të ndihmuar të varfrit, të sëmurët, refugjatët dhe njerëzit në nevojë, janë edhe të paktën 10 arsye tjera, që e bënë unik kreun e kishës katolike, Françeskon, i cili vdiq të hënën në moshën 88 vjeçare.
Ai ishte i pari argjentinas, i pari amerikano-jugor, i pari prift nga rendi jezuit dhe i pari i krishterë nga hemisfera perëndimore që u bë papë.
Pasi e mori këtë detyrë kurrë më nuk e vizitoi shtetin e tij të lindjes. Askush para tij nuk e zgjodhi emrin Françesko, kur u zgjodh në krye të Vatikanit.
Kur u mori këtë detyrë refuzoi të mbath këpucët e kuqe që ishin bërë enkas për të, duke preferuar të mbathura të thjeshta e të zeza.
Po ashtu, i tha jo edhe kryqit të artë që duhet ta mbante në gjoks, për t’ia lënë këtë vend të trupit të tij një të argjendti.
Françesko vendosi të mos jetojë në Pallatin Apostolik të Vatikanit, por në një tip hoteli të quajtur Domus Casa Marta.
Ai refuzoi të varroset në selinë e shenjtë duke zgjedhur një bazilikë jashtë saj.
Argjentinasi ka qenë ndër papët e rrallë që ka pranuar se në rini, para se t’i bashkohej seriozisht kishës, ishte i dashuruar në një vajzë nga lagjja e tij. Asaj i kishte thënë që nëse nuk martohem me ty, do të bëhem prift.