Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha, pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, se “momentumi” për zgjerimin evropian është real dhe se Unioni dëshiron që Serbia ta shfrytëzojë këtë mundësi.
“Takim në kohën e duhur me presidentin e Serbisë. Momenti për zgjerimin e BE-së është real dhe ne duam që Serbia të përfitojë nga kjo mundësi që vjen një herë në një brez dhe të përfundojë Unionin tonë”, ka shkruar ajo në X, transmeton Klankosova.tv.
Ajo shtoi se për këtë është absolutisht e nevojshme të ndërmerren “hapa konkretë rreth parimeve dhe reformave demokratike”.
“Koha për të vepruar është tani,” shkroi Kos.
Zyrtarja e lartë evropiane nisi të martën në vizitë dyditore në Serbi, gjatë së cilës ajo u takua tashmë edhe me kryeministrin Gjuro Macut dhe kryetaren e parlamentit serb Ana Bërnabiq.