Live

Ekskluzive: Përleshja në QKUK pas therjes me thikë në Prishtinë – me “boks” të hekurit ia thyen dhëmbët sulmuesit të shokut

10:35 / 04 Maj 2025

Nga Kosova Live

Gazeta Kosovalive ka siguruar ekskluzivisht detaje të reja nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur më datë 3 maj 2024 në Prishtinë, ku pas një therjeje me thikë, përleshja ka vazhduar edhe brenda objektit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Burime të Kosovalive brenda organeve të rendit bëjnë me dije se gjithçka ka nisur në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, ku ka shpërthyer një përleshje fizike mes tre të miturve: Andi Xhela, rreth 18-vjeçar, Jasir Beqiri, rreth 19-vjeçar dhe Olti Ahmeti, rreth 18-vjeçar.

Sipas hetimeve preliminare, Jasir Beqiri dyshohet se e ka therur me thikë në shpinë Andi Xhelën, duke i shkaktuar dy plagë të rënda trupore, ndërkohë që vetë Jasiri ka pësuar lëndime në kokë, si pasojë e goditjeve që dyshohet se ia shkaktuan Andi dhe Olti, përpara se ky i fundit të largohej nga vendi i ngjarjes.

Pas përleshjes, Andi Xhela ka përfunduar në QKUK për trajtim mjekësor, ku ndodhi një tjetër incident i rëndë.

Në objektin e spitalit është paraqitur Kreshnik Krasniqi, rreth 19-vjeçar shok i Andit, i cili dyshohet se e ka goditur me “boks” të hekurit në fytyrë Jasir Beqirin, duke i shkaktuar thyerje të dy ose tre dhëmbëve.

Përleshja ndodhi në praninë e stafit mjekësor dhe të policëve që ishin në detyrë sekondare në QKUK, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar situatën.

Në vendin e parë të ngjarjes ka dalë njësia e Forenzikës së SP Qendra, ndërsa janë marrë veprimet procedurale ndaj të gjithë të përfshirëve.

Kosovalive mëson se me urdhër të Prokurores janë ndaluar për 48 orë:  Jasir Beqiri, i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, Olti Ahmeti, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, dhe Kreshnik Krasniqi, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Ndërkohë, për shkak të gjendjes shëndetësore, Andi Xhela nuk ka dhënë ende deklaratë, por ndaj tij po ashtu do të ndërmerren veprime procedurale pasi të lejohet nga mjekët.

Hetimet e mëtejme do të zhvillohen nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Prishtinë.

Gazeta Kosovalive do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua