Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, duke përdorur mbi 1,180 dronë, 1,360 bomba dhe 10 raketa të llojeve të ndryshme vetëm gjatë javës së kaluar.
Përmes një postimi në Facebook, Zelensky tha se sulmet kanë qenë të pandërprera dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe të lënduar në disa rajone të vendit.
“Gjatë gjithë natës, ekipet e emergjencës në Kiev po luftonin me zjarret në ndërtesa apartamentesh dhe makina pas sulmeve me dronë rusë në lagjet e banimit. Fatkeqësisht, ka fëmijë dhe të rritur të plagosur. Të gjithë kanë marrë ndihmën e nevojshme. Në Cherkasy, një konvikt i zakonshëm ishte në flakë”, deklaroi ai.
Zelensky theksoi se sulme ajrore janë regjistruar edhe në Kharkiv, Mykolaiv dhe Kiev, ku gjatë natës janë lëshuar gjithsej 165 dronë, shumica e të cilëve të tipit Shahed, të prodhuar në Iran.
Duke kritikuar hipokrizinë e thirrjeve për armëpushim nga Rusia për 9 majin, presidenti ukrainas shtoi:
“Rusët po bëjnë thirrje për armëpushim më 9 maj, ndërsa godasin Ukrainën çdo ditë. Ky është cinizëm i nivelit të lartë: vetëm këtë javë, Rusia ka përdorur mbi 1,180 dronë, 1,360 bomba dhe 10 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës”.
Ai apeloi për një armëpushim të qëndrueshëm dhe të sinqertë, që do të çonte drejt përfundimit të luftës.
“Ukraina është gati që heshtja të fillojë në çdo ditë – por për jo më pak se një muaj, për t’i dhënë fund luftës. Nëse ka heshtje, duhet të jetë çdo ditë. Nëse ka armëpushim – atëherë jo për festat e tyre, por për çdo ditë. Falënderoj të gjithë partnerët tanë që vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe të ushtrojnë presion mbi Rusinë”, përfundoi Zelensky.