Live

Beqiri: Mosdeklarimi i mishit të therur – kryekëput shmangie nga tatimi, dështuan AUV-u e ATK-ja” (VIDEO)

20:32 / 05 Maj 2025

Nga Kosova Live

Mospërputhja e numrit të kafshëve të cilat u importuan për t’u therur dhe numrit të atyre që u therën gjatë dy viteve të fundit, flet për një dëm milionësh të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Kështu vlerëson ekonomisti, Lulëzim Beqiri.

Në një intervistë për emisionin Kiks Kosova, ai tha se mosdeklarimi i mishit të therur është kryekëput shmangie nga tatimi. Ky evazion fiskal, sipas tij, është krijuar për shkak të dështimit të dy hallkave institucionale, Administratës Tatimore – e cila ka për mision mbikëqyrjen e pagesës së tatimeve dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë – në mandatin e të cilës është lëshimi i certifikatave të therjes.

Beqiri shprehet i çuditur me kompanitë të cilat bëjnë veten kurban për iniciativa të tilla.

Kjo praktikë e bizneseve, ai vlerëson se i shkakton dëm miliona euro buxhetit shtetëror, çrregullon tregun dhe dëmton edhe konkurrentët të cilët janë tatimpagues të rregullt.

Beqiri vlerëson se AUVK nuk ka pasur të drejtë të shfuqizojë vendimet për pezullimin e licencave për importin e kafshëve, pa u qartësua nga ATK-ja se sa është dëmi që kompanitë ia shkaktuan buxhetit dhe të paguhej ai dëm.

Vendimi i AUVK-ut për t’i shfuqizuar këto vendime pa kaluar as një muaj, sipas tij, çon mesazh jo të mirë te bizneset të cilat janë tatimpagues të rregullt.

Shpërndaje në

U Kopjua