Live

Hasani: Avni Dehari e ka uzurpuar postin e kryesuesit të seancës, veprimet e tij janë jokushtetuese

11:20 / 08 Maj 2025

Nga Kosova Live

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka ngritur akuza të ashpra ndaj Avni Deharit, kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Hasani ka akuzuar Deharin, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, për uzurpimin e postit të kryetarit të Kuvendit dhe për nxjerrjen e seancës nga binaret e saj ligjore dhe kushtetuese.

Hasani ka theksuar se mënyra e drejtimit të seancës është në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, Dehari ka shkelur protokollin të cilin e përcakton Rregullorja e Kuvendit, duke propozuar mocione procedurale për ndryshimin e mënyrës së votimit.

Zoti Dehari e di që ka një protokoll të caktuar më 8 prill nga forcat politike, përmes kryetarit të vjetër, të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit, Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, të cilin e kam nënshkruar unë. Ai e ka uzurpuar mikrofonin dhe ka propozuar mocione procedurale për të ndryshuar mënyrën e votimit. Asnjë mocion, asnjë diskutim nuk mund të zhvillohet në seancën konstituive“, ka deklaruar Hasani, në një intervistë për Euro News Albania.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka hedhur poshtë edhe argumentin se Aktgjykimi i Kushtetueses i vitit 2014 flet për mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se nuk ka asnjë nënkuptim për votimin e fshehtë për këtë post.

Ai ka sqaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese specifikon mënyrën e votimit për disa pozita, por nuk përmend votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kur flitet për mënyrën e votimit në Kuvend, Gjykata Kushtetuese ka treguar se cilat janë mënyrat e votimit, sipas rregullores. Por nuk ka thënë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të fshehtë, sepse kjo përcaktohet nga Kushtetuta, ligji dhe Rregullorja e Kuvendit“, ka shtuar Hasani.

Hasani ka kritikuar edhe argumentet e politikanëve dhe zyrtarëve që krahasojnë situatën në Kosovë me praktikat e vendeve të tjera, si Gjermania, duke theksuar se “ne zbatojmë Kushtetutën dhe ligjet tona”.

Në lidhje me situatën aktuale të ngërçit, Hasani ka sugjeruar se, nëse nuk ka vullnet politik për tejkalimin e krizës, zgjidhja mund të kërkohet në Gjykatën Kushtetuese, ku sipas tij, çdo votim i Kuvendit është vendim dhe mund të dërgohet për interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse nuk ka vullnet politik për tejkalimin e ngërçit, Kushtetuesja mund të vendosë për çdo votim të Kuvendit, përfshirë ata ‘për’, ‘kundër’ dhe ‘abstenim’. Të gjitha janë vendime që mund të dërgohen në Kushtetuese“, ka përfunduar ai.

Shpërndaje në

U Kopjua