Partia Demokratike e Kosovës dje bëri thirrje që Presidentja Osmani t’i ftojë në takim partitë, për të diskutuar për situatën në Kuvend.
Përveç saj, kërkesë të tillë pati edhe nga partitë tjera e shoqëria civile.
E, nga Presidenca kanë thënë se së shpejti do të kontaktohen partitë për një takim gjithëpërfshirës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media.
Lidhur me këtë, PDK ka thënë se do të marrë pjesë në këtë takim.
Këtë e konfirmoi Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e partisë.
“Po, marrim pjesë”, tha ajo për Gazeta Blic.
Ndërkohë pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe LDK dhe AAK.