Live

Pengimi i drejtësisë: Thaçi s’përballon dy gjykime njëkohësisht, do ndarje (VIDEO)

20:49 / 14 Maj 2025

Nga Kosova Live

Veç numri i seancave në të cilat la mendjen e zemrën, është 207.

I tërë procesi gjyqësor mbi 4 vjet e gjysmë, sipas mbrojtjes së ish presidentit të Kosovës, i ka marrë Hashim Thaçit shumë energji e vëmendje, të cilat i duhen më së shumti në pjesën e fundit të gjykimit që po afron.

Andaj ekipi i tij po kërkon t’i veçohet procedura në rastin e dytë, aktakuzën për tentim pengimi të drejtësisë nga 4 të akuzuarit tjerë, Smakaj, Fazliu, Kilaj e Kuçi.

Meqë gjykimi për rastin e dytë pritet të nis pas pushimit të verës, kur pritet të paraqiten edhe rastet e mbrojtjes së katërshes së UÇK-së, Thaçi e as avokatët nuk mund të fokusohen tek dy rastet paralelisht, e madje thonë se kryepersonazhit i shkelen të drejtat për gjykim të drejtë.

Mbrojtja thotë se rasti i dytë ka të bëjë me shkeljet, rrjedhjen e informatave dhe dëshmitarët e zbuluar të rastit të parë, andaj s’mund ti nënshtrohen pabarazisë së armëve, e të angazhojnë ekip të ri avokatësh pa njohuri për rastin e madh, ndryshe nga Prokurorët e angazhuar te rasti i dytë.

Joshua Hafetz, Gaia Pergolo, Nico Baarlink, dhe Dirk-Jan Laman jo që kanë njohuri për rastin, por i kanë intervistuar shumicën e dëshmitarëve te “Thaçi dhe të tjerët”.

Arsye tjetër është edhe mungesa e mjeteve financiare, të cilat Thaçi i ka ndarë të gjithat për avokatët e rastit 1.

Thaçit nuk i mungojnë vetëm paratë për të paguar dy palë avokatë njëkohësisht, por edhe dëshira t’i zvarrisë të bashkë-akuzuarit.

Teksa tribunalet ndërkombëtare kanë shtyrë njërin proces deri në përfundim të tjetrit kur ka pasur praktika të tilla, i bie që rasti i dytë të nis së gjykuari tek në gjysmën e 2026-ës.

Kilaj, Smakaj e Fazliu që ndodhen në paraburgim, e kanë kundërshtuar këtë shtyrje të paarsyeshme duke e mbështetur kërkesën për veçim të procedurës.

Shpërndaje në

U Kopjua