Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar angazhim më të madh nga Bashkimi Evropian për avancimin e Kosovës drejt integrimit. Pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Kurti ka theksuar përkushtimin e palëkundur të Kosovës për t’u bërë vend anëtar i BE-së.
Përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se Kurti ka kërkuar që BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë për avancimin e mëtejmë të Kosovës në këtë rrugëtim.
“Duke theksuar faktin që kanë kaluar gati dy vite e gjysmë që nga aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryeministri kërkoi nga presidenti Costa rol aktiv për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusin të vendit kandidat”, thuhet në komunikatë.
Ai po ashtu ka bërë thirrje për heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave kufizuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës.
Në takim, Kurti ka ngritur shqetësimin për qëndrimet e Serbisë, duke theksuar se “kërcënimet për rajonin vijnë nga Serbia”, dhe ka kërkuar që Milan Radoiçiq t’i dorëzohet drejtësisë së Kosovës.
Kryeministri ka adresuar gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke vënë në pah diskriminimin dhe mungesën e përfaqësimit të tyre në institucionet shtetërore të Serbisë.
“Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.