Live

Pas kërkimeve dyditore, në Prishtinë gjenden mbetje mortore të tre personave të zhdukur në luftën e fundit

17:26 / 15 Maj 2025

Nga Kosova Live

Ministrja e dorëhequr e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në Prishtinë janë lokalizuar mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovës.

Haxhiu tha se lokalizimi i mbetjeve mortore u bë pas dy ditëve të operacioneve të gërmimit dhe zhvarrimit në Prishtinë, përkatësisht nga ekipet mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX-it, me mbështetjen e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

“Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme dhe procesin e identifikimit”.

“Ky rezultat është arritur falë një pune të gjatë dhe të koordinuar analitike nga institucionet përkatëse, si dhe mbështetjes së vazhdueshme të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar”, shkroi Haxhiu, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ajo u shpreh se aktivitetet në kuadër të kërkimit të personave të zhdukur do të vazhdojnë në lokacione të tjera gjatë javëve në vijim.

Shpërndaje në

U Kopjua