Live

Zelensky pas bisedës me Trump: Ukraina gati për paqe

16:53 / 16 Maj 2025

Nga Kosova Live

Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një shkëmbim të madh robërish gjatë bisedimeve të fundit në Stamboll, ka bërë të ditur kreu i delegacionit ukrainas në një intervistë për transmetuesin publik ukrainas.

“Diskutuam për një shkëmbim në përmasat 1,000 për 1,000. Po punojmë gjithashtu për modalitete të tjera të këtij shkëmbimi,” ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.

Umerov gjithashtu ka thënë se gjatë takimit është diskutuar edhe një armëpushim dhe mundësia e një takimi të drejtpërdrejtë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë, menjëherë pas përfundimit të bisedimeve në Stamboll, presidenti Zelensky zhvilloi një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë – në kuadër të një takimi evropian të mbajtur në Shqipëri.

Ndërsa, pas telefonatës, Zelensky deklaroi se “Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të arritur paqen e vërtetë”, por theksoi se “presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë”.

“Shteti rus duhet të përballet me sanksione të ashpra nëse refuzon një armëpushim të plotë dhe pa kushte. Falënderojmë të gjithë ata që ndihmojnë Ukrainën në këtë drejtim,” u shpreh ai në rrjete sociale.

Shpërndaje në

U Kopjua