Në një aksion të përbashkët, Policia e Kosovës dhe inspektorati komunal i Pejës, i kanë mbyllur dy lokale të natës në fshatin Vitomiricë.
Arsyeja e mbylljes ishte se këto nuk kishin leje të punës, njofton Klankosova.tv.
Bëhet e ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Drejtoresha e Inspeksionit në komunën e Pejës Edonjeta Berisha ka thënë për Klankosova.tv se janë kontrolluar aktivitetet e bizneseve për respektimin e ligjshmërisë dhe rregullave komunale.
“Drejtoria e Inspeksionit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion inspektues dhe verifikues në dy lokale nate në zonën e Vitomiricës. Gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar aktivitetet e bizneseve për respektimin e ligjshmërisë dhe rregullave komunale.Aksioni ka pasur për qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjen e qytetarëve nga çdo parregullsi e mundshme. Si Drejtoreshë e Inspeksionit, Edonjeta Berisha, theksoj se aksione të tilla do të vazhdojnë në mënyrë të rregullt dhe të paanëshme, në të gjitha zonat ku operojnë subjektet afariste, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe standardeve të parapara me rregullore. Falënderojmë Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe përkrahjen në këtë proces, si dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar”, tha ajo.

