Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit që të arrijë një marrëveshje për programin e tij bërthamor, duke deklaruar se “i ka dhënë Teheranit shans pas shansi”.
Bisedimet mes ShBA-së dhe Iranit për një marrëveshje pritet të hyjnë në raundin e gjashtë këtë të diel.
“Në mënyrën më të vendosur u thashë: ‘Thjesht bëjeni’, por sado që u përpoqën, sado që iu afruan, nuk arritën ta përfundonin”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Ka pasur tashmë shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë për ta ndalur këtë masakër – veçanërisht kur sulmet e radhës pritet të jenë edhe më të përgjakshme”, paralajmëroi ai.
“Irani duhet të bëjë marrëveshje, para se të mos mbetet më asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane. Mjaft më me vdekje, mjaft më me shkatërrim – THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”.
Trumpi deklaroi gjithashtu se ishte në dijeni për planet e Izraelit përpara se të ndërmerrte sulmet ajrore gjatë natës, por theksoi se ushtria amerikane nuk kishte asnjë rol në këtë operacion.