Live

Kryeziu për bllokadën në Kuvend: Jemi në një ngërç të inateve politike, s’ka pasur nevojë për Kushtetuese

21:40 / 17 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se kriza aktuale institucionale, politike dhe morale në vend nuk ka lindur si pasojë e ndonjë boshllëku kushtetues apo ligjor, por si rezultat i mungesës së vullnetit dhe inateve ndërpartiake.

Në Debat Plus, Kryeziu ka thënë se nuk ka pasur nevojë që të adresohet në Gjykatën Kushtetuese bllokada në Kuvend, pasi ngërçi është më shumë politik sesa juridik.

“Sëpari mendoj që nuk ka pasur nevojë për Gjykatë Kushtetuese, ne jemi në një ngërç të inateve dhe të përcaktimit të subjekteve politike, dhe qëllimeve të tyre. Jo për shkak të procedurave dhe vakuumit kushtetues e ligjor”, ka thënë Kryeziu.

Megjithatë, Kryeziu theksoi se do të ishte e udhës që Gjykata Kushtetuese të japë një interpretim të kësaj situate për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës.

“Gjithsesi do të ishte mirë që Kushtetuesja ta bëjë një interpretim, i cili potencialisht mund t’i hapte rrugë. Sa mund t’i hapte rrugë kësaj krize institucionale, politike e morale, nuk e di. Edhe pse tani kanë shkruar 3-4 javë që ende s’kemi pasur një interpretim, Gjykata Kushtetuese është deklaruar se është duke e trajtuar këtë çështje…”, ka shtuar Kryeziu.

Vlen të ceket që deputetët e Kuvendit dështuan për herë të 33-të që të konstituojnë legjislaturën e re.

Shpërndaje në

U Kopjua