Live

Zgjedhje të dyfishta më 12 tetor – Të gjithë kundër, përpos “Vetëvendosjes”

10:03 / 20 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vendosur që zgjedhjet komunale të mbahen më 12 tetor 2025, pas një takimi konsultativ me partitë politike.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe mundësia që në të njëjtën ditë të mbahen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, si një përpjekje për të zgjidhur ngërçin institucional që ka paralizuar vendin që disa muaj.

Propozimi për mbajtjen e dy proceseve zgjedhore paralelisht është inicuar nga Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të fundit.

Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, pavarësisht 34 tentimeve për zgjedhjen e kryetarit të tij, ndërkohë që Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti po funksionon pa legjitimitet të plotë parlamentar.

Arifi kundër zgjedhjeve të dyfishta: KQZ ka dështuar me një palë zgjedhje, çka do të ndodhte me zgjedhje të dyfishta?

Dritëro Arifi, njohës i çështjeve politike, është kundër idesë që në tetor të mbahen njëkohësisht zgjedhjet komunale dhe parlamentare në Kosovë. Ai argumenton se këto dy procese zgjedhore kanë kontekste të ndryshme dhe nuk mund të bashkohen në një datë të vetme.

“Nga aspekti teknik, jo vetëm nga ai politik, por nga aspekti teknik, nuk mendoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kapacitetin për të organizuar dy palë zgjedhje në të njëjtën kohë.”

Ai kujton se herën e fundit kur janë mbajtur zgjedhje nacionale me një palë, procesi ka qenë i komplikuar dhe i vonuar, me shumë ankesa.

“Duke e parë se herën e fundit që u zhvilluan zgjedhje nacionale, u vonuan shumë dhe kishte ankesa të shumta, mendoj se organizimi i dy palëve të zgjedhjeve njëkohësisht është i pamundur dhe i panevojshëm’’, deklaroi Arifi.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në të njëjtën ditë është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe e papajtueshme me kuadrin ligjor në fuqi.

‘’ Unë e shoh mjaft problematike mbajtjen e dy palë zgjedhjeve për një ditë për shkak se ka edhe problem ligjore sa i përket kësaj çështjeje’’, tha Demhasaj.

Sipas tij, këto dy procese zgjedhore kanë natyrë të ndryshme: zgjedhjet lokale janë të rregullta dhe parashikojnë një fushatë 30-ditore, ndërsa zgjedhjet parlamentare të parakohshme janë të jashtëzakonshme dhe parashikojnë një fushatë vetëm 14-ditore.

‘’Zgjedhjet lokale janë zgjedhje të rregullta dhe fushata zgjatë 30 ditë .Në anën tjetër nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare atëherë ato janë të jashtëzakonshme dhe fushata zgjat dy javë pra është shumë problem me i bashku në këto rrethana zgjedhjet lokale me parlamentare’’, deklaroi ai.

Duke u bazuar në përvojën e fundit me zgjedhjet nacionale, të cilat u karakterizuan me vonesa dhe ankesa të shumta, ai vlerëson se mbajtja e dy proceseve zgjedhore njëkohësisht është e pamundur teknikisht, e palogjikshme dhe e panevojshme.

‘’Duke e parë që herën e fundit dështuan me një palë zgjedhje nacionale, u vonuan shumë, kishte ankesa, kështu që dy palë zgjedhje përnjëherë e shoh të pamundur të mbahen ,këta edhe mund ta bëjnë por nga aspekti logjik është e pamundur dhe e panevojshme’’, përfundoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua